A do ta arrestojë sot Serbia, Behgjet Pacollin?!

Ftesa për pjesëmarrje në një konferencë në Novi Pazar që iu bë zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm, Behgjet Pacolli, ka alarmuar autoritetet serbe.

Lajme

21/07/2018 10:59

I ftuar nga udhëheqësi i boshnjakëve të Serbisë, Sulejman Ugljanin, Pacolli ka bërë kërkesë për leje në autoritetet serbe, megjithatë zyrtarisht nuk ka marrë përgjigje.

Mirëpo, bazuar në marrëveshjen e Brukselit për Lëvizje të Lirë, nëse përgjigjja për vizita politike nuk refuzohet, atëherë ajo në heshtje miratohet.

Sami Kastrati, shef i zyrës për informim në MPJ i ka thënë lajmi.net se Pacolli sot do të udhëtojë në Novi Pazar për të marrë pjesë në forumin e boshnjakëve.

Pacolli në Serbi do të udhëtojë si shef i diplomacisë kosovare, ashtu siç i është bërë ftesa nga Këshilli kombëtar i boshnjakëve.

Lajmi.net e ka siguruar kërkesën për leje, si dhe agjendën e qëndrimit dyditor në Serbi të Pacollit dhe shefit të kabinetit, Jetlir Zyberaj.

Megjithatë në Serbi thonë që Pacolli atje nuk do të udhëtojë në cilësinë e ministrit të Jashtëm të Republikës së Kosovës, por vetëm si qytetar.

Ministri serb i Punëve të Brendshme, Nebojsha Stefanoviq ka thënë dje se Pacolli nuk do të udhëtojë fare në Serbi, ndërsa Ivica Daçiq, shef i diplomacisë serbe, ka thënë se kjo vizitë është provokim për Serbinë, por ka shtuar Serbia “nuk do të bie në këtë grackë”.

Megjithatë, në kërkesën bërë autoriteteve serbe që lajmi.net e ka parë, Pacolli shkon në Serbi në cilësinë e kryeministrit të parë të Republikës së Kosovës dhe shefit të diplomacisë, e jo si qytetar i thjeshtë.

Televizioni serb, B92 në ditarin qendror të lajmeve mbrëmë, përmend edhe arrestimin e mundshëm të Pacolli nëse ai paraqitet si ministër i Jashtëm i shtetit të Kosovës. Sipas këtij televizioni, e që thekson se kjo edhe mund të jetë spekulim, arrestimi është përmendur në qarqet serbe.

Kjo mund të shihet edhe si hakmarrje për arrestimin e Marko Gjuriqit, të cilit pikërisht ministria që drejton Behgjet Pacolli ia kishte refuzuar lejen për të hyrë në territorin tonë, shkruan lajmi.net.

Zëvendëskryeministri Pacolli, sipas itinerarit të udhëtimit, në Serbi do të hyjë nesër nga pika kufitare veriore e njohur si Bërnjak në orën 16 e 30, ku në orën 19 do të marrë pjesë në forumin e boshnjakëve që do të mbahet në Novi Pazar.

Kthimi i Pacollit do të bëhet të dielën rreth orës 14 dhe ai do të hyjë në Kosovë nga pika tjetër kufitare në veri e njohur si Jarinje.

Pacolli sot pas orës 17 do të pritet nga kryetari i Këshillit Kombëtar boshnjak, Sulejman Ugljanin. Në orën 17 e 30 fillon mbledhja solemne e Këshillit të boshnjakëve të Sanxhakut, ku Pacolli do ta ketë një fjalë rasti.

Pacolli në orën 18 do ta bëjë një shëtitje në qendër të Novi Pazarit dhe do ta pijë kafe.

Në orën 18 e 30 fillon fillon Tribuna ku të pranishëm janë 250-300 mysafirë. Edhe në këtë Tribunë Pacolli do të mbajë fjalim.

Në orën 19 e 30 është paraparë darka më të pranishmit ku pjesë do të jenë të gjithë kryetarët e komunave të Sanxhakut.

Ndërkaq të dielën, Pacolli do ta vizitojë fshatin Pester ku do të takohet me përfaqësuesit lokal. /Lajmi.net/

Lexo edhe: http://lajmi.net/rts-serbia-ia-refuzon-kerkesen-pacollit-per-novi-pazar/