Filmi ‘Shok’ hiqet nga faqet ‘pirate’ në Internet (Foto)

Të jesh producent i një filmi dhe të presësh mirëkuptim nga një pirat filmi është e pazakontë. Por producentët e filmit “Shok” kanë hasur në mirëkuptimin e piratëve shqiptarë.

ShowBiz

05/02/2016 09:55

Para mesnatës, fillimisht filmaon.com, një ueb faqe pirate e filmave, publikoi filmin “Shok” me regji dhe skenar të britanikut Jamie Donoughe.  Inajderi raportoi se filmi u publikua me një kualitet të dobët.

Përafërsisht në të njëjtën kohë, në një tjetër platformë të internetit, në Yotube, u publikua një tjetër version pirat i filmit që tregon historinë e dy djelmoshave shqiptar gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Të dy videot pirate të filmit “Shok” i nominuar në kategorinë e filmave të shkurtër në “Oscar”, janë hequr pas reagimit të shpejtë të producentit kosovar të filmit Eshref Durmishit.

Dardan Sylejmani, anëtar i grupit “Maniak t’filmave”, e ka marrë përgjëgjësinë e publikimit.

Dumishi i ka shkruar atij duke i kërkuar siç shkruhet në mesazh “me shumë mirësjellje” që ta heq filmin nga Youtube.

Sylejmani ka bërë publike arsyen e heqjes së filmit nga Youtube.

“Nuk jom ktu për me prish sadopak imazhin e filmit”, ka shkruar ai në faqen “Maniakë të filmit” ku edhe është postuar linku fillimisht.

Po në atë kohë është hequr edhe versioni i filmit në uebfaqen tjetër, edhe pse një vështrim i komenteve të “maniakëve të filmit” lë të kuptohet se tashmë filmi është shkarkuar nga shumë përdorues dhe shumë shpejt mund të ngarkohet në ndonjë platformë në internet.