Shqipëria dhe Maqedonia me marrëveshje për fushën e kulturës

Shqipëria është e gatshme të hartojë programe specifike për ruajtjen e traditës dhe kulturës së pakicës maqedonase që jeton në Shqipëri, por, në anën tjetër, Maqedonia nuk është impenjuar sa duhet në respektimin e të drejtave të shqiptarëve.

Lajme

16/03/2015 20:07

Në këtë drejtim as Marrëveshja e Ohrit, që i garanton të drejtat në arsim, kulturë, vendimmarrje etj, nuk është zbatuar si duhet në praktikë.

Megjithatë duket se gjërat po lëvizin të paktën në aspektin kulturor. Fakt për këtë është marrëveshja kornizë e firmosur sot pasdite në Tiranë nga ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Mirela Kumbaro, dhe homologia maqedonase, Elizabeta Kançeska Milevska.

Kumbaro tha se bashkëpunimi në fushën e kulturës midis dy shteteve është shumë i mirë, madje më i suksesshëm se bashkëpunimi politik.

Ministrja shqiptare veçoi si projektin më të rëndësishëm kulturor restaurimin e Muzeut të Alfabetit Shqip në Manastir, ndërsa bëri publik edhe një program të veçantë që është diskutuar për nxitjen e kulturës së pakicës maqedonase që jeton në Shqipëri.

Kançeska Milevska u shpreh mjaft e kënaqur për firmosjen e kësaj marrëveshje në fushën e kulturës, duke theksuar si shumë të rëndësishme pjesën e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore. Gjithashtu, ajo u ndal edhe në komunitetin shqiptar që jeton në Maqedoni, duke thënë se multikulturalizmi është një vlerë për shtetin maqedonas.

“Kemi biseduar për projekte shumë të rëndësishme në të gjitha fushat, për të gjitha veprimtaritë nga fusha e kulturës, edhe në pjesën e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, në pjesën e bashkëpunimit nga industria e filmit, edhe në teatër apo veprimtarinë e muzikës dhe folklorit. Deri më tani janë realizuar shumë projekte tonat të përbashkëta, Republika e Maqedonisë bën një përkujdesje të madhe për të gjithë komunitetet që jetojnë në shtetin tonë sepse multikulturalizmi është një pasuri shumë e madhe për Maqedoninë”, deklaroi ministrja Kançeska Milevska. (KosovaPress)