‘007’, qeverive: Bëni më shumë për heqjen e minave

Ylli i filmit “James Bond”, Daniel Craig është shfaqur këtë të hënë në Samitin Botëror Humanitar në Turqi, për të folur kundër minave nëntokësore.

Bota

23/05/2016 16:41

Craig foli përpara liderëve të botës së biznesit, grupeve humanitare dhe donatorëve në Stamboll në Samitin e Parë Botëror Humanitar dhe u bëri thirrje qeverive që të bëjnë më shumë përpjekje për të pastruar minat nëntokësore.

“Lufta vazhdon të marrë mijëra jetë në shumë vende. Nuk duhet të harrojmë kurrë shifrat e paprecedente të viktimave në një kohë që ka një numër të frikshëm minash të pathyera nëntokësore që gjenden në shumë zona urbane dhe rurale, pavarësisht se në disa prej tyre është rivendosur paqja.

Pasojat njerëzore janë të frikshme. Çdo vit nga shpërthimi i minave nëntokësore humbin jetën 15-20 mijë persona. Shumica prej tyre janë fëmijë, gra dhe të moshuar ndërsa numri i të plagosurve është jashtëzakonisht i lartë pasi në shumicën e rasteve ata humbin gjymtyrët, shikimin apo të dyja bashkë” tha Craig.

Ky samit është një përpjekje për të hartuar të gjithë bashkë një përgjigje koherente në atë çka shefi i OKB-së, Ban Ki Moon e cilësoi si krizën më të keqe humanitare që nga koha e Luftës së Dytë Botërore sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara, më shumë se 130 milionë njerëz janë në nevojë të një asistence humanitare dhe me fondin e vënë në dispozicion për këtë krizë, prej 20 miliardë dollarësh, janë mbuluar deri më tani vetëm 20% e nevojave.

Samiti, i pari i këtij lloji, ka bërë bashkë dhjetëra krerë qeverish, shoqërinë civile dhe sektorin privat, synon të mobilizojë fonde dhe të dakordojë liderët botërorë që të angazhohen më shumë në këtë luftë të përbashkët, në respekt edhe të angazhimit e zotimit të tyre sipas ligjeve ndërkombëtare humanitare. Rreth 6 mijë pjesëmarrës nga 150 shtete anëtarë të OKB-së marrin pjesë në këtë samit, përfshirë edhe 57 krerë shtetesh apo qeverisë. Kancelaria gjermane Angela Merkel është e vetmja lidere nga vendet e G7 që merr pjesë në samit.