Zyrtarët e komunave në kandidim për zgjedhjet nacionale, por sa e pasivizon qeverisjen lokale angazhimi në fushatë?

Kryetarë, nënkryetarë e zyrtarë publikë të komunave tashmë zyrtarisht i janë futur garës për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. Monitoruesit vlerësojnë se këto kandidatura po shfrytëzohen më shumë për mobilizim të elektoratit. Gjithashtu, thonë se angazhimi i tyre në fushatë mund të shkaktojë ngecje në aktivitetet komunale. Hulumtuesi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), Eugen…

Lajme

13/12/2024 09:37

Kryetarë, nënkryetarë e zyrtarë publikë të komunave tashmë zyrtarisht i janë futur garës për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

Monitoruesit vlerësojnë se këto kandidatura po shfrytëzohen më shumë për mobilizim të elektoratit. Gjithashtu, thonë se angazhimi i tyre në fushatë mund të shkaktojë ngecje në aktivitetet komunale.

Hulumtuesi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), Eugen Cakolli thotë se rëndom zgjedhjet e përgjithshme e pasivizojnë edhe nivelin lokal të qeverisjes.

Kjo sipas tij për shkak se të gjitha resurset e partive politike në komunat ku ata qeverisin, vendosen në funksion të fushatës zgjedhore.

“Ekziston rreziku që këto komuna në fund të këtij viti, eventualisht në fillim të vitit të ardhshëm, të përmbyllin projekte apo të inicojnë projekte të reja kapitale të cilat në aspektin e përputhshmërisë ligjore me mandatin e tyre si kryetar janë në rregull. Mirëpo, në anën tjetër cenojnë garën e barabartë zgjedhore për shkak se u ofrojnë atyre një avantazh të cilët kandidatët e tjerë nuk e kanë. Së dyti sa i përket funksionimit të vetë komunës, në fakt edhe pa kandiduar fare si deputetë, zakonisht zgjedhjet e pasivizojnë edhe nivelin lokal të qeverisjes për shkak se të gjitha resurset e partive politike në komunat ku ata qeverisin, vendosen në funksion të fushatës zgjedhore, pra pjesëmarrja e kryetarëve, drejtorëve, asamblistëve dhe të gjithë zyrtarëve të tjerë nëpër tubime publike, nëpër aktivitete të tjera të fushatës. Unë besoj që praktikisht do të kemi paralizim të punës, përveç projekteve të cilat do të shihen në funksion të fushatës zgjedhore”, thotë Cakolli.

Koordinatorja në Grupin për Studime Juridike, Blerina Istrefi potencon se kryetarët e komunave që tashmë kanë shpallur kandidaturën për deputetë, janë fokusuar në marrjen e këtyre pozitave për çka thotë se mund të ketë ngecje në punët dhe aktivitetet komunale.

“E kemi parë, janë pretendime të disa kryetarëve të komunave të caktuara në lidhje me marrjen e pozitave përkatëse të institucioneve, sipas zgjedhjeve të vitit 2025. Normalisht që është e presupozuar me qenë një situatë, një ngecje e punëve dhe aktiviteteve komunale. Për shkak që kryetarët e komunave kanë një fokus në marrjen e këtyre pozitave, institucioneve, sipas zgjedhjeve të vitit 2025 dhe normalisht që fokusi i tyre do të jetë karshi punës ndaj këtyre pozitave…Sipas Ligjit për zgjedhje, gjithçka me zgjedhjet mund të bëhet 30 ditë para datës së zgjedhjeve. Normalisht, edhe kryetarët e komunave në këtë rast, nëse janë të përfshirë politikisht dhe marrin pjesë edhe në fushata zgjedhore dhe të tjera, normalisht që këta muajt që jemi tash – nëntor, dhjetor e tutje – nuk do të duhej të ishin muajt në të cilët duhet ta kenë fokusin në pozitat që pretendojnë t’i marrin. Mirëpo, fokusi i tyre do të duhej të ishte në përgjegjësitë karshi komunave, si kryetar të komunave përkatëse”, thotë Istrefi.

Por kandidatët vlerësojnë se nuk do të ketë pengim të punës nëpër komuna.

Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj, i cili është pjesë e listës së Lidhjes Demokratike të Kosovës, thotë se organizimet e tubimet po mbahen “pasdite dhe nuk po pengojnë në kryerjen punëve në komunë”.

“Është e vërtetë që ne e kemi filluar një parafushatë të themi kështu, e cila e ka një intensitet më të ulët sesa fushata zyrtare që do të fillojë në janar. Në këtë parafushatë, kryesisht tubimet janë në kohën e pasdites dhe të mbrëmjeve, andaj në asnjë mënyrë nuk e pengojnë punën, as në kryeqytet as në çfarëdo forme tjetër. Kur fillojmë fushatën zyrtare dhe fushatën intensive të janarit, unë besoj do ta pezulloj pozicionin tim, ose thënë ndryshe do t’ia bëjë një pauzë, sepse të gjithë do të jemi në fushatë…Nuk besoj që do të ketë ndonjë efekt të madh në punët në Prishtinë. Gjithsesi është kryetari i kryeqytetit i cili është i fokusuar në projektet e Prishtinës dhe që po e udhëheqë punën rregullisht”, thotë Zogaj.

E kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj thotë se gjatë periudhës së fushatës, nënkryetari duhet ta marrë rolin e kryetarit në kryerjen e punëve në komunë.

“Kur je kandidat dhe je në fushatë nuk përfaqëson më kryetarin e komunës, sepse kryetari i komunës është i të gjithëve, nuk është i një subjekti politik, pavarësisht që vjen prej subjektit politik. Këto norma duhet të respektohen, shpresoj që të respektohen prej të gjithë kryetarëve në garë për deputetë. Është kusht që kur të fillojë fushata zyrtare, nënkryetari në këtë rast duhet ta luajë rolin e kryetarit…Këto janë takime krejt tjetër, sepse janë organizime të cilat nuk e kanë një numër të partisë zyrtarisht, nuk ka një numër të kandidatit zyrtarisht dhe realisht nuk është e certifikuar ende si kandidat. Mund të ketë ndryshime, është një lloj kohe që nënkuptohet edhe në aspektin ligjor…Mund të ketë këso vërejtje, janë të arsyeshme. Nuk është e thënë që kryetarët kanë punë direkt me palët…Kanë të drejtë qytetarët nëse e bëjnë këtë vërejtje”, thotë Ramosaj.

Në anën tjetër, Cakolli i KDI-se e quan taktizim të subjekteve politike kandidimin e kryetarëve të komunave për deputetë.

Sipas tij, kjo po bëhet më shumë për mobilizim të elektoratit dhe për të parë se si qëndrojnë edhe në zgjedhjet lokale.

“Kandidimi i kryetarëve aktualë të komunave është më shumë një lloj taktizimi i subjekteve politike sesa që njëmend mund të ketë raste që ndonjë nga këta kryetarë mund të fitojë mandatin e deputetit e ta lërë atë të kryetarit. Nga ajo çfarë kemi parë është që kandidaturat po shfrytëzohen më shumë për mobilizim të elektoratit dhe mbase edhe për testim të popullaritetit të këtyre figurave. Unë besoj që një gjë e tillë ndërlidhet edhe me faktin që zgjedhjet e ardhshme janë sërish vit zgjedhor në nivelin lokal dhe testimi i këtyre kandidaturave, përmes garimit të tyre për deputetë është formë e mirë e partive politike, në këtë rast opozitare, që të shohin se ku qëndrojnë me përkrahjen popullore, ndonëse përvoja deri më tani tregon se zgjedhjet parlamentare dallojnë substancialisht me ato lokale, sa i përket kandidatëve për kryetarë të komunave”, thotë Cakolli.

Afati për aplikim të subjekteve politike për certifikim dhe dorëzimin e listës së kandidatëve për deputetë është mbyllur më 11 dhjetor.

Sipas KQZ-së, nga shtatori deri më këtë datë, kanë aplikuar 28 subjekte politike, prej tyre 20 parti politike, pesë koalicione, dy nisma qytetare dhe një kandidat i pavarur për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.

Numri i përgjithshëm i kandidatëve për deputetë, që përfaqësojnë këto subjekte politike, është 1 mijë e 280 kandidatë.