ZYRTARE: M’Gladbach vendos për Xhakën

Drejtori sportiv i Borussia Monchengladbach, Max Eberl ka konfirmuar se Granit Xhaka nuk do të largohet nga klubi gjatë këtij afati kalimtar të janarit.

Sport

29/01/2016 10:46

Drejtori sportiv i Borussia Monchengladbach, Max Eberl ka përjashtuar mundësinë e largimit të Granit Xhakës, gjatë këtij afati kalimtar të janarit.

Mesfushori kosovar kërkohet nga shumë klube të mëdha evropiane përfshirë Arsenalin dhe Liverpoolin.

Por, Eberl ka insistuar se reprezentuesi zviceran nuk do të largohet nga klubi në të ardhmen e afërt. “Granit Xhaka nuk do të largohet gjatë afatit kalimtar dimëror”, deklaroi Eberl për “Sport1”, përcjell “Lajmi.net”.

“Transferimet gjatë dimrit janë shumë të komplikuara. Mbi të gjitha, asnjë klub nuk dëshiron të pengojë suksesin e tij, në mes të sezonit”, shtoi ai.

“Zakonisht, ne nuk jemi klub që ka shumë aktivitete në dimër, sepse ne planifikojmë ekipin për një sezon të plotë. Motoja jonë është që trajneri të krijojë ekipin sa më herët dhe të jetë në gjendje të punojë me futbollistët nga dita e parë”, theksoi ai.

Megjithatë, Eberl e pranoi se klubi mund të jetë i detyruar të shesë Xhakën gjatë verës, pasi futbollisti ka pranuar se ëndërron të luajë në Premierligë.

“Gjatë verës, çdo klub bën ndërhyrje dhe ka më tepër mundësi që të manovrojë me futbollistë. Ne tani jemi në fazën e dytë, dhe ende asgjë nuk është vendosur. Nuk jemi në verë ku dikush mund të ofrojë për një futbollist, 40, 50 ose 60 milionë euro”, përfundoi ai.