ZYRTARE: Messi dhe Mbappe përfshihen në skuadër për ndeshjen e sotme ndaj Reims

Skuadra franceze, PSG ka publikuar listën e 22-lojtarëve që do të udhëtojnë për ndeshjen ndaj Reims, që klubi parisien e zhvillon sonte nga ora 20:45.

Sport

29/08/2021 11:36

Vëmendja para kësaj sfide ishte tek lista e skuadrës, se a do të përfshihen lojtarët si Messi e Mbappe.

Lionel Messi në fakt pritej që të përfshihej për këtë sfidë dhe të debutojë me klubin parisien për herë të parë që nga transferimi i tij nga Barcelona.

Në anën tjetër, Mbappe ishte në dyshim të madh se a do të përfshihej në skuadër marrë parasysh faktin që lojtari është duke bërë presion të vazhdueshëm tek klubi francez që ta liroj të shkoj në Real Madrid.

PSG hodhi poshtë ofertën e parë të Real Madrid e cila ishte 150 milion euro, teksa nuk vonoi shumë dhe ekipi madrilen lansoi menjëherë ofertën e dytë, e cila është në regjionin e 170 milion eurove plus 10 milion bonuse.

Ekipi francez ende nuk i është përgjigjur kësaj oferte, teksa parisienët po ngurrojnë të shesin lojtarin duke kërkuar edhe më shumë para për francezin.

Real Madrid në anën tjetër raportohet se i ka bërë ultimatum skuadrës franceze që nëse nuk e pranojnë gjatë ditës së sotme ofertën, ata do të tërheqin ofertën dhe do të tentojnë nënshkrimin me të vitin e ardhshëm me parametra zero.

Tani PSG i ka dhënë edhe më shumë “zjarr” kësaj çështje, pasi ata e kanë ftuar francezin për ndeshjen e sotme që ata e zhvillojnë ndaj Reims si mysafir.

Mbetet të shihet nëse francezi do të jetë titullar apo do të nisë ndeshjen nga banka. /Lajmi.net