Zyrtare: Besfort Zeneli transferohet tek ekipi që luan në Ligën e Kampionëve
Mesfushori i Kombëtares së Suedisë, Besfort Zeneli, ka zyrtarizuar të martën kalimin te skuadra belge Union Saint-Gilloise, e cila aktualisht kryeson kampionatin në Belgjikë. Me këtë transferim, 23-vjeçari fiton të drejtën për t’u paraqitur edhe në fazën nokaut të Ligës së Kampionëve, nëse klubi siguron kualifikimin. Union Saint-Gilloise ka bërë të ditur se Zeneli ka…
Sport
Mesfushori i Kombëtares së Suedisë, Besfort Zeneli, ka zyrtarizuar të martën kalimin te skuadra belge Union Saint-Gilloise, e cila aktualisht kryeson kampionatin në Belgjikë. Me këtë transferim, 23-vjeçari fiton të drejtën për t’u paraqitur edhe në fazën nokaut të Ligës së Kampionëve, nëse klubi siguron kualifikimin.
Union Saint-Gilloise ka bërë të ditur se Zeneli ka nënshkruar kontratë për katër vjet e gjysmë, ndërsa shuma e transferimit nga klubi suedez Elfsborg nuk është bërë publike. Megjithatë, sipas raportimeve, marrëveshja vlerësohet rreth 3.5 milionë euro, transmeton lajmi.net.
Zeneli ka qenë më herët pjesë e Kosovës U21, por më pas FIFA miratoi kërkesën e tij për ndërrim të përfaqësueses, duke i hapur rrugë paraqitjes me Suedinë, vend ku ka lindur. Ai debutoi me përfaqësuesen A të Suedisë gjatë vitit të kaluar.
Mesfushori ishte aktiv në të dy ndeshjet e Suedisë në fazën kualifikuese për Kupën e Botës në muajin nëntor, nën drejtimin e trajnerit Graham Potter. Suedia do të përballet me Ukrainën më 26 mars në Valencia të Spanjës, ndërsa fituesi i këtij dueli do të luajë më pas ndaj Polonisë ose Shqipërisë për një vend në Kupën e Botës.
Në arenën evropiane, Union Saint-Gilloise aktualisht renditet në pozitën e 27-të nga 36 skuadra në Ligën e Kampionëve, vetëm një pikë larg zonës që siguron kualifikimin në fazën nokaut. Skuadra belge do ta përmbyllë fazën e ligës me dy përballje të vështira, fillimisht si mysafire ndaj Bayern Munichut dhe më pas në shtëpi kundër Atalantës./lajmi.net/