Zvonko Veselinoviq raportohet se është larguar drejt Turqisë
Zvonko Veselinoviq, një prej figurave më të përfolura dhe me ndikim në veri të Kosovës, raportohet se është larguar këtë mëngjes nga Sarajeva drejt Stambollit të Turqisë, në një kohë kur në Serbi kanë nisur arrestimet e disa biznesmenëve dhe zyrtarëve të lidhur me pushtetin e mëparshëm dhe Partinë Progresive Serbe (SNS) të Aleksandar Vuçiqit.…
Lajme
Zvonko Veselinoviq, një prej figurave më të përfolura dhe me ndikim në veri të Kosovës, raportohet se është larguar këtë mëngjes nga Sarajeva drejt Stambollit të Turqisë, në një kohë kur në Serbi kanë nisur arrestimet e disa biznesmenëve dhe zyrtarëve të lidhur me pushtetin e mëparshëm dhe Partinë Progresive Serbe (SNS) të Aleksandar Vuçiqit.
Lajmin e ka publikuar mediumi hulumtues serb KRIK, duke iu referuar burimeve të veta. Sipas raportimit, Veselinoviq ka udhëtuar me një fluturim të orëve të para të mëngjesit nga Sarajeva drejt Stambollit, duke përdorur pasaportën serbe, transmeton lajmi.net.
Largimi i tij vjen në një periudhë kur autoritetet në Serbi po ndërmarrin veprime ndaj personave që dyshohet se kanë pasur lidhje të ngushta me strukturat e pushtetit gjatë qeverisjes së Aleksandar Vuçiqit.
Lidhjet me familjen Vuçiq dhe strukturat e SNS-së
KRIK rikujton lidhjet e pretenduara të Veselinoviqit me Andrej Vuçiqin, vëllain e ish-presidentit serb. Në një hulumtim të publikuar më herët, mediumi kishte prezantuar fotografi ku të dy shihen së bashku në një restorant në Kopaonik, në vitin 2015.
Ndërkohë, komunikimet në platformën e enkriptuar Sky, të publikuara dhe analizuara nga KRIK, përmendin Veselinoviqin në përpjekje për të ndikuar në emërimet brenda policisë serbe, si dhe në ndarjen e kontratave shtetërore me vlerë miliona euro.
Sipas analizave të mediumit, ai kishte raporte me figura të fuqishme të SNS-së dhe dyshohet se kishte ushtruar ndikim në proceset e emërimit të zyrtarëve të lartë policorë.
Nën sanksionet e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe
Veselinoviq është futur në listën e sanksioneve të Thesarit amerikan në dhjetor të vitit 2021, së bashku me Milan Radoiçiqin.
Autoritetet amerikane i kishin arsyetuar këto masa me dyshimet për përfshirje në korrupsion, ndikim mbi zyrtarët publikë dhe përfitim nga kontratat shtetërore përmes praktikave korruptive.
Një vit më vonë, në dhjetor të vitit 2022, edhe Mbretëria e Bashkuar vendosi sanksione ndaj tij, për shkak të përfshirjes së pretenduar në korrupsion serioz.
Dyshimet për aktivitete kriminale dhe përmendja në rastin e Oliver Ivanoviqit
Emri i Zvonko Veselinoviqit është përmendur ndër vite në raporte të policisë dhe shërbimeve serbe të sigurisë, të publikuara nga KRIK. Në këto dokumente, ai përshkruhet si figurë me rëndësi në një grup të dyshuar për kontrabandë të drogës, armëve dhe naftës, fajde dhe pastrim parash.
Ai është përballur gjithashtu me disa procedura penale në Serbi, ndër të tjera për çështje që lidhen me vjedhjen e kamionëve dhe nxjerrjen e paligjshme të rërës dhe zhavorrit.
Një prej rasteve më të rënda në të cilat është përmendur emri i tij është vrasja e politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq, më 16 janar 2018.
Prokuroria e Kosovës e ka përmendur Veselinoviqin në kuadër të dyshimeve që lidhen me këtë rast, ndërsa në aktakuzë është përfshirë edhe Milan Radoiçiqi.
Turqia, strehë për figura të krimit të organizuar nga Ballkani
Në raportimin e saj, KRIK rikujton se Turqia është shndërruar ndër vite në një destinacion ku janë lokalizuar dhe strehuar figura të ndryshme të krimit të organizuar nga Ballkani.
Në periudha të ndryshme, në këtë shtet janë gjetur edhe persona të lidhur me klanet kriminale malazeze, përfshirë Jovan Vukotiqin.
Për momentin, raportimi për largimin e Veselinoviqit drejt Turqisë mbështetet në burimet e KRIK-ut, ndërsa nuk janë bërë të ditura hollësi zyrtare nga autoritetet lidhur me udhëtimin e tij./lajmi.net/