Zv/ministri që po ia rrezikon Kosovës njohjen nga Burundi, sqaron deklaratën e tij

Shteti i Burundit është duke shqyrtuar mundësinë që ta tërheqë njohjen e pavarësisë së Kosovës. E në media mbrëmë u publikua një letër që tregonte se serbët kishin shfrytëzuar deklaratat e dy zv/ministrave të jashtëm, që ta bindin Burundin për tërheqjen e njohjes.

Lajme

03/03/2018 16:00

Gjergj Dedaj dhe Anton Berisha ditë më parë kishin dhënë disa deklarata të cilat diplomacia serbe i shfrytëzoi në mënyrë që Burundi ta tërheqë njohjen për Kosovën.

“Nuk ka asnjë peshë as njohja as mos njohja e Burundit, besoj që Serbia do të bëjë tema të kësaj natyre që me kontestu Pavarësinë e Kosovës”, kishte thënë Berisha më 17 shkurt.

Diçka të tillë kishte shkruar edhe zv/ministri tjetër, Gjergj Dedaj.

“Për mua si zëvendësministër i MPJ kruciale, historike dhe të qëndrueshme ishin njohjet nga SHBA, Bashkimi Evropian, Kanadaja, Australia, Japonia, vendet fqinje dhe ish republikat jugosllave si Kroacia e Sllovenia, e sa për disa shtete si Burundi, Bangladeshi, Madagaskari, apo të ngjashme, të cilat nuk janë serioze dhe nuk paraqesin relevancë në politikat globale ndërkombëtare”, kishte thënë Dedaj.

Këto deklarata duket se kishin pasoja. Në një letër që ambasadori i Burundit ia kishte dorëzuar kryeministrit Haradinaj, thuhej se ky shtet po merr parasysh mjaft shumë deklaratat e Dedajt dhe Berishës.

“Jam duke punuar rreth çështjes së njohjes së Kosovës në Burundi. Nuk është e lehtë sepse serbët u kanë ofruar shumë gjëra atyre. Por lajmi që ne kemi pranuar nga misioni serb, se zëvëndësministri i juaj i Punëve të Jashtme ka thënë se nuk është me rëndësi njohja nga Burundi, do të më komplikojë punët”, theksohet në letrën që Shingiru u ka dërguar Haradinajt dhe Pacollit.

Por, zv/ministri Anton Berisha po thotë se deklarata e tij nuk ka ndikuar në vendimin e Burundit për tërheqjen apo jo të njohjes së Kosovës.

Berisha ka thënë për lajmi.net se njohja e shteteve nuk është proces individual por shtetëror dhe institucional.

“Nuk ka sens kjo punë. Njohjet e shteteve nuk janë procese individuale janë shtetërore dhe institucione, veç na shqiptarët i kemi marrë personale. Kemi shpallë shtet qe 10 vjet e ende spo e kuptojmë çka është shteti. Njohja nuk është personale, por e politikës shtetërore e gjeopolitikës e faktorëve tjerë, unë muj me kanë edhe 100 herë më i rëndësishëm, por prap nuk ndikon në asnjë njohje apo mos njohje. Njohjet nuk shkojnë hatri i Antonit apo për inat të Antonit. Njohja është proces botëror”, ka thënë zv/ministri i jashtëm për lajmi.net

Ai në këtë prononcim ka sqaruar edhe një herë se cili ka qenë mesazhi i deklarataës që e ka dhënë në lidhje me shtetin e Burundit.

Berisha vlerëson se çdo njohje është e mirëseardhur, por që Kosova duhet të fokusohet më shumë te shtetet e mëdha si Spanja, Greqia e Sllovakia.

“Unë e di saktë se çka kam thanë. Çdo njohje është e mirëseardhur për Kosovën, por për shkak të kapaciteteve të kufizuara që i kemi edhe njerëzore edhe finaciare, kam thanë që duhet ma pak mu koncentru kah Afrika, sepse nuk kemi problem me numrin e njohjeve, pasi më shumë kemi ne njohje se Mali i Zi, por problem kemi me shtetet e mëdha që s’na njohin dhe janë bërë pengesë si Spanja, Greqia, Sllovaki. Një njohje më shumë është ma mire, por kurgjo nuk ndryshon qoftë nga një shtet i largët. Por nuk dmth që njohjet e tilla nuk janë të mirëseardhura, pasi mund të na ndihmojnë në votime të ndryshme”, ka thënë zv/ministri i cili vjen nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Ai ka kritikuar politikën e jashtme të Kosovës që po orientohet kryesisht nga vendet e Afrikës.

Berisha është optimist që nëse do të punohej më shumë, Kosova do të kishte mundësi të përmirësonte raportet me Greqinë e Sllovakinë.

“Politika e jashtme në dy muajt e fundit po shkon kah Burundi e Guinea. Kjo ka bë që ne mos të merremi me Greqinë e Sllovakinë. Për ata e kam thane, se jo që kam diçka me këtë shtet apo atë shtet. Duhet në Evropë mos të lajmë gurë pa lëvizë, pasi Sllovakia nuk është shtet që s’mundemi mi kapërcy problemet, ose me Greqinë mundemi me i tejkalu problemet. Duhet me gjet lidhje edhe me Spanjën, këtu duhet të jetë fokusi”, ka përfunduar Anton Berisha.

Lajmi.net ka tentuar të kontaktojë edhe me zv/ministrin tjetër e jashtëm, Gjergj Dedaj por që ky i fundit nuk ka pasur çasje në telefon.

Ndryshe ditëve të fundit është shtuar numri i shteteve që po e shqyrtojnë njohjen për Kosovën.

Kjo është kritikuar nga opozita në Kosovë e cila ka kërkuar nga qeveria të krijojë një strategji urgjente për politikën e jashtme. /B.B/Lajmi.net/