Zvicra e konfirmon se zyrtarë të Kosovës me të Serbisë kanë zhvilluar takime “diskrete”: U lejojmë pjesëmarrësve të ndërtojnë marrëdhënie dhe të eksplorohen idetë
Ministria e Punëve të Jashtme e Zvicrës ka konfirmuar se përkrahin dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë për të ndërtuar besim dhe mirëkuptim. Zëdhënësja e MPJ-së zvicerane, Lea Zurcher, ka thënë për Express, se organizojnë bisedime dy apo tri herë në vit në qytetin e Solothurnit, meqë s’duan që palët të jenë të ngarkuara…
Lajme
Ministria e Punëve të Jashtme e Zvicrës ka konfirmuar se përkrahin dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë për të ndërtuar besim dhe mirëkuptim.
Zëdhënësja e MPJ-së zvicerane, Lea Zurcher, ka thënë për Express, se organizojnë bisedime dy apo tri herë në vit në qytetin e Solothurnit, meqë s’duan që palët të jenë të ngarkuara nga vëmendja e publikut. Megjithatë ajo thotë se këto takime s’janë sekrete, por siç i quajnë diskrete. Sidoqoftë për udhëtimet atje dhe pjesëmarrjen s’ka njoftime zyrtare nga pjesëmarrësit.
“Zvicra mbështet dialogun midis Serbisë dhe Kosovës si pjesë e angazhimit të saj për ndërtimin e besimit dhe mirëkuptimit. Departamenti Federal i Punëve të Jashtme i Zvicrës (FDFA) organizon bisedimet e Solothurnit dy deri në tre herë në vit. Ndërsa zhvillohen në mënyrë diskrete, këto takime nuk janë sekrete”, ka thënë ajo.
Ajo ka thënë së Divizioni i Paqes dhe të Drejtave të Njeriut në kuadër të Ministrisë së Jashtme, bashkë me këshillin e OJQ-ve për qeverisje gjithëpërfshirëse kanë organizuar shkëmbime të rregullta që nga viti 2015, e ku përfshihen përfaqësues të partive politike nga Kosova dhe Serbia.
Zurcher ka thënë se MPJ e Zvicrës dëshiron që të ofrojë një hapësirë për dialog për çështje politike, për t’iu lejuar pjesëmarrësve të diskutojnë pa u mbingarkuar nga vëmendja e publikut.
“FDFA e konsideron të rëndësishme të ofrojë një hapësirë për dialog të qëndrueshëm mbi çështjet politike, duke u lejuar pjesëmarrësve të ndërtojnë marrëdhënie dhe besim pa u mbingarkuar nga vëmendja e publikut”, ka potencuar ajo.
Sipas zyrtares zvicerane, një modalitet i tillë i diskutimeve mundëson kontakte të drejtpërdrejta dhe eksplorim të ideve në bazë të të cilave mund të inspirohen proceset zyrtare.
“Një format i tillë diskret mund të ndihmojë në lehtësimin e kontakteve të drejtpërdrejta dhe lejon që të eksplorohen ide që mund të ushqehen në proceset zyrtare. Ky dialog joformal, në përputhje me traditën e gjatë zvicerane të Zyrave të Mira, është plotësues i kuadrit zyrtar të udhëhequr nga BE-ja dhe mbështetet nga Bashkimi Evropian”, ka thënë Lea Zurcher.
Sot gazeta zvicerane “NZZ” ka raportuar për këto takime të mbajtura në qytetin e Solothurnit në Zvicër. Mes emrave të përmendur në artikull janë edhe zv.kryeministri Besnik Bislimi dhe kryediplomati serb, Marko Gjuriq si pjesëmarrës.