Zvicër: Ka përdhunuar dhe keqtrajtuar tri femra, 4 vjet e gjysmë burg për kosovarin

14:02 | 24 Maj 2016

Përdhunim, Ilustrim

Gjatë dy viteve ai ka mashtruar tri femra, të cilat i ka rrahur në mënyrë të rregullt dhe pastaj i ka detyruar të bëjnë seks me të. Kjo akuzë i ngarkohet kosovarit 26 vjeçar nga regjioni Rheintal i Kantonit Chur në procesin gjyqësor që ka përfunduar të premten në Gjykatën e Qarkut Werdenberg-Sarganserland.

Sipas akuzës, kosovari u ka dërguar mijëra mesazhe telefonike dhe u ka telefonuar femrave të përmendura në çdo kohë, duke u shkaktuar frikë dhe stres, shkruan st.gallertagblatt.ch. Kur ato i kundërviheshin, ai i rrihte, duke i përgjakur dhe në këtë gjendje pastaj rregullisht i përdhunonte dhe e filmonte aktin që bënte.

Femrat provonin të kërkonin ndihmë por ai i kishte vënë nën presion aq shumë sa që ato sërish gjunjëzoheshin para tij, transmeton albinfo.ch.

Se për të një sjellje e tillë ishte e zakonshme, trupi gjykues është bindur edhe gjatë procesit gjyqësor. Rreth ndërtesës së gjykatës po silleshin katër persona të dyshuar, tre nga të cilët rezultuan të ishin familjarë të të akuzuarit.

Ndërkaq i akuzuari gjatë marrjes në pyetje nga gjyqtari, është shprehur i habitur me akuzat dhe e ka paraqitur veten si viktimë. “Sigurisht që unë kam kërkesa të larta për besnikërinë e mikeshave të mia, por unë kurrë nuk i kam kontrolluar as përdhunuar ato”.

Me to kishte pasur ndonjëherë edhe zënka dhe ky u kishte dhënë ndonjë flakaresh, asgjë më shumë, ka thënë i akuzuari.

Nisur nga kjo, avokati ka kërkuar shpalljen e klientit të tij si të pafajshëm, pasi që ai ka këmbëngulur se përdhunimet nuk janë dëshmuar asnjëherë si të vërteta, përcjell albinfo.ch. Po ashtu edhe akuza për kërcënim, prishje të qetësisë, keqpërdorim të telefonatave dhe për lëndim trupor duhet të tërhiqet, ka thënë ai.

Dhe më interesantja, sipas avokatit kjo formë ekstreme e “stalking”-ut (përcjellje me kërcënime) “në Kosovë konsiderohet një formë e zakonshme e shprehjes së xhelozisë”, transmeton albinfo.ch. Për këtë, i akuzuari do të duhej të dënohej me vetëm dhjetë muaj burg.

Por trupi gjykues nuk ka marrë parasysh mendimin e avokatit. Ai e ka shpallur të akuzuarin fajtor dhe e ka dënuar atë me katër vjet e gjysmë burg. Kjo masë ndëshkuese është për gjashtë muaj  më e rëndë nga ajo që ka kërkuar prokurori.

Veprat penale që gjykata i konsideron të konsumuara me këtë rast janë: përdhunimi seksual, kërcënimi, detyrimi dhe privimi nga liria. Më tutje, trupi gjykues ka konstatuar se nuk ka pasur asnjë rrethanë lehtësuese, pasi që i akuzuari nuk e kishte bërë as pranimin e veprës e as nuk kishte treguar pendim, përcjell albinfo.ch. E vetmja gjë që kishte bërë, ishte relativizimi i veprës së kryer, ka thënë kryetari i Trupit Gjykues. “Femrat për të janë vetëm objekte seksi të cilat i shfrytëzon dhe pastaj i hedh tutje, pa pasur respekt për ndjenjat dhe dëshirat e tyre. Një terapi do të ishte e nevojshme në këtë rast ndërsa arsyetimi me mentalitetin ose kulturën që ai sjell nga Kosova nuk është kurrfarë shfajësimi. Fundja, këtu zbatohet ligji i Zvicrës” ka përfunduar ai.