ZRrE publikon raportet ku përmendet rritja e çmimit të rrymës prej 15%, njofton se ka mundësi për komente dhe sugjerime
Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) ka bërë publike Raportet Konsultative të cilat lidhen me të hyrat maksimale të lejuara për tre operatorët e energjisë elektrike, siç janë: KOSTT, KEDS dhe FSHU. Në njoftimin e bërë nga ZRrE-ja theksohet s e ky publikim përbën një hap të rëndësishëm në procesin e përcaktimit të tarifave dhe…

Lajme
Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) ka bërë publike Raportet Konsultative të cilat lidhen me të hyrat maksimale të lejuara për tre operatorët e energjisë elektrike, siç janë: KOSTT, KEDS dhe FSHU.
Në njoftimin e bërë nga ZRrE-ja theksohet s e ky publikim përbën një hap të rëndësishëm në procesin e përcaktimit të tarifave dhe ka për qëllim të sigurojë mundësinë për përfshirjen e të gjitha palëve të interesuara në këtë process të rëndësishëm.
“Raportet Konsultative paraqesin propozimet fillestare të ZRrE-së për të hyrat maksimale të lejuara për këto ndërmarrje. Ky publikim ofron mundësinë që të gjitha palët e interesuara të shqyrtojnë propozimet dhe të japin komente dhe sugjerime që mund të ndikojnë në përcaktimin e vendimeve përfundimtare mbi tarifat”, thuhet në njoftimin e ZRrE-së.
E në bazë të analizave dhe rezultateve të këtyre raporteve, pritet që rritja mesatare e tarifave për konsumatorët të jetë rreth 15 për qind. ZRrE e vë në theks rëndësinë e procesit të konsultimit publik si një element kyç për zhvillimin e politikave të qëndrueshme dhe transparente në fushën e energjisë.
ZRrE ka ftuar ndërmarrjet e rregulluara, konsumatorët dhe të gjitha palët e tjera të interesuara që të shqyrtojnë të dhënat dhe pikëpamjet e përfshira në Raportin Konsultativ dhe të paraqesin komentet dhe sugjerimet e tyre.
“Bazuar në rezultatet e këtyre raporteve, pritet që rritja mesatare e tarifave për konsumatorët të jetë rreth 15%. ZRrE e konsideron konsultimin publik si një element kyç në zhvillimin e politikave të qëndrueshme dhe transparente në fushën rregullative. Në këtë kuadër, ZRrE fton ndërmarrjet e rregulluara, konsumatorët dhe të gjitha palët e tjera të interesuara që të shqyrtojnë të dhënat dhe pikëpamjet e përfshira në Raportin Konsultativ dhe të paraqesin komentet dhe sugjerimet e tyre. Komentet mund të dërgohen deri më 28 mars 2025”, thuhet tutje në njoftimin e ZRrE-së.
Propozimi i ZRrE-së për shtrenjtimin e energjisë-elektrike për 15 % nga muaji prill ka ngjallur edhe reagime të shumta.
Madje në rrjetet sociale është bërë thirrje që të kundërshtohet kjo rritje.
Me sloganin “Asnjë cent më shumë” ka nisur një fushatë për të kundërshtuar propozimin edhe për një rritje tjetër të çmimit./Lajmi.net/