Zyra e Rregullatorit për Energji ka njoftuar konsumatorët që aktualisht furnizohen me energji elektrike nga KEK-u, përmes mekanizmit të Furnizuesit të Mundësisë së Fundit (FMF), se ky furnizim do të përfundojë më 30 korrik 2025, për ata që e kanë shfrytëzuar këtë shërbim që nga 1 qershori 2025.
ZRRE u bën thirrje të gjithë konsumatorëve të prekur që të lidhen sa më parë me një furnizues të licencuar dhe të nënshkruajnë një marrëveshje komerciale për furnizim me energji. Në të kundërtën, pas datës 30 korrik, furnizimi i garantuar përmes FMF do të pushojë së qeni i vlefshëm ligjërisht, dhe si pasojë do të ndodhë ndërprerja automatike e energjisë elektrike, transmeton lajmi.net
Institucioni rregullator thekson se ky veprim është pjesë e procesit të liberalizimit të tregut të energjisë elektrike, i cili po zbatohet sipas ligjit dhe standardeve rregullatore evropiane.
ZRRE gjithashtu bëri të ditur se vendimet e saj janë vlerësuar si të ligjshme edhe nga gjykatat, duke konfirmuar kështu se procesi i liberalizimit po zhvillohet në përputhje të plotë me kornizën ligjore në fuqi.
Postimi i plotë:
Njoftim për konsumatorët lidhur me përfundimin e periudhës së furnizimit të garantuar nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit (FMF)
Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), duke vepruar në përputhje me mandatin e saj ligjor sipas Ligjit Nr. 05/L-085 për Energjinë Elektrike dhe Rregullës për Furnizuesin e Mundësisë së Fundit, njofton të gjithë konsumatorët që aktualisht furnizohen me energji elektrike nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) si Furnizues i Mundësisë së Fundit (FMF), se periudha maksimale e këtij furnizimi të garantuar përfundon më 30.07.2025, për konsumatorët që kanë shfrytëzuar këtë shërbim nga data 1 qershor 2025.
Furnizimi nga FMF është një masë e përkohshme që ka për qëllim sigurimin e vazhdimësisë së furnizimit me energji elektrike për konsumatorët të cilët, për çfarëdo arsye, kanë mbetur pa furnizues komercial. Ky furnizim i garantuar nuk mund të zgjasë më shumë se 60 ditë dhe nuk mund të vazhdohet pas datës së lartcekur.
ZRRE u bën thirrje të gjithë konsumatorëve të prekur që pa vonesë të kontaktojnë një furnizues të licencuar dhe të nënshkruajnë marrëveshje komerciale për furnizim me energji elektrike. Mosveprimi brenda afatit të paraparë do të rezultojë me ndërprerjen automatike të furnizimit me energji elektrike pas datës 30.07.2025, përkatësisht sipas afatit gjashtëdhjetë (60) ditor, pasi furnizimi i garantuar përmes FMF nuk do të jetë më i vlefshëm ligjërisht.
Liberalizimi i tregut të energjisë elektrike është një proces që po zbatohet në përputhje të plotë me ligjin dhe praktikat më të mira rregullatore. Me kënaqësi ju informojmë se edhe Gjykatat, në rastet e shqyrtuara lidhur me këtë proces, kanë vlerësuar si të ligjshme dhe të bazuara vendimet e ZRRE-së, duke konfirmuar se veprimet tona janë në përputhje me kornizën ligjore në fuqi.
Për lehtësi, lista e furnizuesve të licencuar nga ZRRE është publikuar në ueb-faqen zyrtare të ZRRE-së:
www.ero-ks.org
ZRRE mbetet e përkushtuar të sigurojë një treg funksional dhe konkurrues të energjisë elektrike, duke garantuar transparencë, mbrojtje të konsumatorëve dhe siguri juridike në çdo hap të procesit”./Lajmi.net/