ZKA tregon kaosin në KEK: 7.74 milionë euro u trajtuan në mënyra të ndryshme financiare, dobësi të tregtimit të energjisë- miliona euro kontrata me negocim
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar raportin e auditimit për Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) për vitin 2025, ku ka evidentuar një numër të konsiderueshëm mangësish në menaxhimin e pasurive, raportimin financiar, inventarizimin, tregtimin e energjisë dhe procedurat e prokurimit. Raporti ka rezultuar me 12 rekomandime, prej të cilave gjashtë janë të reja dhe…
Lajme
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar raportin e auditimit për Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) për vitin 2025, ku ka evidentuar një numër të konsiderueshëm mangësish në menaxhimin e pasurive, raportimin financiar, inventarizimin, tregtimin e energjisë dhe procedurat e prokurimit.
Raporti ka rezultuar me 12 rekomandime, prej të cilave gjashtë janë të reja dhe gjashtë të përsëritura nga auditimet paraprake, transmeton lajmi.net.
Probleme me pasuritë e paluajtshme
Një nga gjetjet kryesore lidhet me regjistrin e pasurive të paluajtshme. Auditorët kanë konstatuar se KEK-u ende nuk ka arritur ta harmonizojë regjistrin e pasurive me gjendjen reale juridike dhe faktike.
Në regjistrat e ndërmarrjes vazhdojnë të figurojnë pesë prona me vlerë 7.86 milionë euro që prej vitesh nuk janë në pronësi të KEK-ut, por janë transferuar tek Infrakos.
Po ashtu, figurojnë edhe 11 parcela me vlerë 866 mijë euro që sipas Agjencisë Kadastrale të Kosovës nuk i përkasin ndërmarrjes.
Auditimi ka gjetur se në evidencat e KEK-ut vazhdon të figurojë edhe prona e njohur si “Mali i Pyllëzuar” në Podujevë me vlerë prej 5 milionë eurosh, ndonëse sipas dokumentacionit pronësor ajo është në pronësi të Agjencisë Pyjore të Kosovës.
Sipas auditorëve, këto mangësi krijojnë rrezik që pasuritë e ndërmarrjes të paraqiten me vlera jo reale në pasqyrat financiare dhe njëkohësisht vështirësojnë menaxhimin efektiv të tyre.


Mbi 229 milionë euro pasuri të zhvlerësuara plotësisht
ZKA ka evidentuar gjithashtu dobësi serioze në trajtimin dhe prezantimin financiar të pasurive afatgjata.
Sipas raportit, 69 për qind e pasurive të regjistruara në KEK, ose mbi 14 mijë artikuj me vlerë fillestare prej 229 milionë eurosh, figurojnë të zhvlerësuara plotësisht dhe me vlerë zero në evidencat financiare, megjithëse shumë prej tyre vazhdojnë të përdoren në proceset e prodhimit dhe operimit.
Një pjesë e konsiderueshme e këtyre pasurive përfshin pajisje të prodhimit të energjisë, objekte, softuerë dhe asete të tjera kyçe për funksionimin e ndërmarrjes.
Po ashtu, auditorët kanë gjetur 472 pasuri me vlerë neto prej 7.74 milionë euro që janë trajtuar në mënyra të ndryshme financiare ndër vite, ndërsa 5,376 pasuri të tjera figurojnë pa vlerë fillestare, pa rivlerësim dhe me vlerë zero në regjistra.
Sipas ZKA-së, kjo situatë rrezikon që vlera reale e pasurive të KEK-ut të mos paraqitet saktë në raportet financiare.

Inventarizimi nuk u harmonizua me evidencat financiare
Një tjetër problem i identifikuar lidhet me procesin e inventarizimit vjetor.
Komisioni i inventarizimit kishte evidentuar pasuri jo funksionale me vlerë mbi 135 mijë euro dhe kishte propozuar trajtimin e tyre sipas gjendjes reale, por rekomandimet nuk ishin reflektuar në evidencat financiare.
Auditorët kanë zbuluar edhe mospërputhje të tjera, përfshirë 33 apartamente që ishin propozuar për çregjistrim, raste të regjistrimeve të dyfishta, si dhe pasuri me përshkrime të pasakta.
Po ashtu, është konstatuar një dallim prej 850 njësive, ose rreth 116 mijë euro, në një kategori të stokut industrial, ndërmjet inventarizimit fizik dhe evidencave financiare.
Sipas raportit, mungesa e harmonizimit ndërmjet inventarizimit dhe regjistrave financiarë rrit rrezikun e gabimeve dhe keqpërdorimeve të mundshme.

KEK-u nuk kërkoi garanci bankare në 32 kontrata
Në fushën e furnizimit me energji elektrike, ZKA ka gjetur se KEK-u nuk ka aplikuar garanci bankare ose parapagim në 32 kontrata të lidhura me konsumatorë komercialë.
Sipas auditorëve, garancitë bankare janë paraparë në kushtet kontraktuale dhe shërbejnë si mekanizëm mbrojtës për ndërmarrjen në rast të vonesave apo mospagesave.
Moszbatimi i kësaj kërkese rrit rrezikun që KEK-u të përballet me borxhe të papaguara dhe humbje financiare.

Mungesë dokumentimi në tregtimin e energjisë
Auditimi ka identifikuar mangësi edhe në procesin e tregtimit të energjisë elektrike.
Sipas raportit, KEK-u nuk kishte dokumentuar vendimet për ndarjen e sasive të energjisë që tregtoheshin në bursë ose përmes ankandeve, gjë që sipas auditorëve cenon transparencën dhe vështirëson gjurmimin e procesit vendimmarrës.
Mungesa e dokumentacionit e bën më të vështirë vlerësimin nëse vendimet për shitjen ose blerjen e energjisë janë marrë në interesin më të mirë të ndërmarrjes.
ZKA njofton se tregtimi përmes bursave (ALPEX), vendimarrja rreth ndarjes së sasive që do të tregtohen përmes bursës ALPEX apo bursave të tjera dhe ankandit duhet të bazohen në tërë sasinë e tregtimit, lukiditetit të bursës, përfitimin ekonomik për ndërmarrjen, të dhënat historike të tregtimit, kapacitetet dhe indikatorët e tjerë.
“Mos dokumentimi rrit rrezikun për vendimmarrje jo të bazuar në analiza të plota dhe të verifikueshme, duke rrezikuar arritjen e përftimit optimal ekonomik për ndërmarrjen, si dhe krijon mungesë transparence dhe gjurmueshmërie në proces”.

Dobësi në sistemin e tregtimit të energjisë
ZKA ka ngritur shqetësime edhe për sistemin teknologjik të përdorur për tregtimin e energjisë.
Sipas raportit, ankandet zhvillohen përmes sistemit Microsoft Exchange Server 2010, një platformë e vjetruar që nuk mbështetet më nga prodhuesi dhe nuk merr përditësime sigurie.
Auditorët vlerësojnë se sistemi nuk siguron gjurmueshmëri të mjaftueshme të veprimeve të përdoruesve, duke rritur rrezikun operacional dhe duke kufizuar mundësitë për kontroll efektiv.
Po ashtu u tha se gjatë vitit 2022-2023, ndërmarrja ka zhvilluar një sistem të ri, i cili është vendosur menjëherë në testim nga përdoruesit fundorë pa kaluar në testime teknike nga departamenti i IT-së dhe nuk është vënë asnjëherë në përdorim. Gjatë vitit 2025 janë zhvilluar dy procedura të prokurimit për marrjen me qira të një platforme alternative, por procedurat kanë dështuar për shkak se nuk është pranuar asnjë ofertë.

Mbi 1.6 milionë euro kontrata përmes procedurës së negociuar
Në fushën e prokurimit publik, auditimi ka gjetur se KEK-u ka lidhur gjashtë kontrata me vlerë mbi 1.6 milion euro përmes procedurës së negociuar.
Tri prej tyre kishin të bënin me furnizimin me acid klorhidrik, ndërsa tri të tjera me furnizimin me mazut.
Sipas ZKA-së, procedurat e negociuara janë përdorur pasi procedurat e hapura nuk kishin përfunduar me sukses për shkak të ankesave dhe mangësive në dokumentacionin tenderues.
Auditorët vlerësojnë se planifikimi më i mirë i prokurimeve do të kishte shmangur nevojën për përdorimin e kësaj procedure.

Probleme me kriteret e tenderëve
Raporti evidenton se në disa raste kriteret e përzgjedhjes së operatorëve ekonomikë nuk ishin hartuar në përputhje me kërkesat ligjore.
Konkretisht, mungonin specifikimet e qarta lidhur me vlerën e kontratave paraprake që operatorët ekonomikë duhej të dëshmonin si përvojë profesionale.
Sipas auditorëve, kritere të paqarta mund të ndikojnë në trajtimin jo të barabartë të operatorëve ekonomikë dhe të cenojnë konkurrencën.
Mangësi në pranimin e furnizimeve
Auditimi ka gjetur mangësi edhe në pranimin e furnizimeve me gaz industrial.
Në disa raste mungonin dëshmitë që menaxheri i kontratës kishte verifikuar përputhshmërinë e furnizimeve me kushtet kontraktuale, ndërsa në raste të tjera nuk kishte dokumentacion të mjaftueshëm që dëshmonte origjinën dhe certifikimin e produkteve sipas standardeve të kërkuara.
Po ashtu, përfaqësuesit e komisioneve të pranimit nuk kishin marrë pjesë në të gjitha procedurat e pranimit të mallrave.
Sipas ZKA-së, këto mangësi rrisin rrezikun e pranimit të mallrave pa verifikim të plotë të cilësisë dhe përputhshmërisë me kontratat.
Në përfundim, auditorët vlerësojnë se shumica e gjetjeve lidhen me mungesën e kontrolleve të mjaftueshme të brendshme, dokumentimin e pamjaftueshëm të proceseve dhe mosharmonizimin e evidencave me gjendjen reale, duke rekomanduar masa konkrete për përmirësimin e menaxhimit financiar dhe operacional të KEK-ut./lajmi.net/