​Zjarret në Shqipëri, Ministria e Mbrojtjes: 11 vatra aktive – Mbi 1,100 forca të angazhuara në terren

Ministria e Mbrojtjes në Shqipëri bën të ditur se gjatë ditës së sotme janë raportuar 21 vatra zjarri në të gjithë vendin, ndërsa 11 prej tyre vijojnë të jenë aktive. Sipas përditësimit zyrtar, 5 vatra janë nën mbikëqyrje, ndërsa 5 të tjera janë shuar. Në njoftimin e Ministrisë theksohet se në operacionet për përballimin e…

Lajme

05/09/2026 23:54

Ministria e Mbrojtjes në Shqipëri bën të ditur se gjatë ditës së sotme janë raportuar 21 vatra zjarri në të gjithë vendin, ndërsa 11 prej tyre vijojnë të jenë aktive. Sipas përditësimit zyrtar, 5 vatra janë nën mbikëqyrje, ndërsa 5 të tjera janë shuar.

Në njoftimin e Ministrisë theksohet se në operacionet për përballimin e situatës janë angazhuar 587 forca operacionale vendore dhe 52 automjete zjarrfikëse.

Në terren kanë dalë gjithashtu 550 efektivë të Forcave të Armatosura dhe 7 automjete zjarrfikëse, ndërsa ndërhyrja është mbështetur nga ajri me 4 helikopterë dhe një avion Air Tractor.

Në përditësimin për qarkun e Fierit, Ministria bën të ditur se vatrat në Drizë/Radostinë, Vadhizë, Peshtan dhe Levan vijojnë të jenë aktive. Për përballimin e flakëve janë angazhuar 13 automjete zjarrfikëse, 4 autobote, 55 efektivë, 90 forca operacionale dhe 104 forca ushtarake. Operacioni në Fier po mbështetet gjithashtu nga një helikopter dhe një avion Air Tractor, shkruan RTSH.

Në njoftimin për Shkodrën, Ministria informon se zjarri në Bardhaj vijon të jetë aktiv. Në operacion janë angazhuar 5 automjete zjarrfikëse, strukturat vendore, si dhe një automjet zjarrfikës dhe një helikopter të Forcave të Armatosura.

Ndërkohë, në Mat, në zonat Lundre dhe Madhesh, operacioni për shuarjen e flakëve mbështetet edhe nga 30 efektivë të Forcave të Armatosura.

Ministria e Mbrojtjes njofton se në lagjen “1 Maji” në Himarë zjarri është fikur pas një operacioni të gjerë. Në këtë ndërhyrje janë angazhuar 26 automjete zjarrfikëse, forca vendore, policore dhe vullnetare, 183 efektivë, 2 zjarrfikëse, 2 ambulanca dhe 2 helikopterë të Forcave të Armatosura. Nga zjarri janë djegur 6 banesa, prej të cilave 3 të banuara, ndërsa 36 persona janë evakuuar.

Në përditësimin për Tiranën, Ministria bën të ditur se një tjetër vatër aktive vijon në Dajt. Për shuarjen e flakëve janë angazhuar 30 forca vendore dhe 50 efektivë të Forcave të Armatosura. Ndërkohë, vatra në Qinami mbahet nën mbikëqyrje dhe nuk paraqet rrezik për zonat e banuara. Vatra aktive raportohen gjithashtu në Vajkal, Mallunxë–Lis, Gallatë, Kalivaç–Zimaj–Kashnjet, Krastë të Elbasanit, Iballë dhe Krepse, ndërsa vijon monitorimi në disa zona të tjera.

Ministria e Mbrojtjes informon se në Mavrovë të Selenicës dhe në malin “Partizan” në Berat zjarret janë shuar. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon të monitorojë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.

Nw fund, Ministria thekson se kapacitetet operacionale mbeten në terren dhe në gatishmëri për ndërhyrje, me prioritet mbrojtjen e jetës së qytetarëve, banesave dhe pasurisë së tyre.