Zjarret, Kodheli: Situatë dramatike jo vetëm në Shqipëri

Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, deklaroi paraditen e së hënës se situata e zjarreve në vend është dramatike për shkak të situatës klimaterike me temperatura të larta dhe mungesë reshjesh.

Lajme

07/08/2017 12:54

“Është situatë dramatike jo vetëm për Shqipërinë, por për Europën mbarë. Situata klimaterike është jashtë normales për shkak të temperaturave tejet të larta dhe reshjeve pothuajse ineksiztente. Ministria e Mbrojtjes dhe qeveria po angazhohet maksimalisht për ta përballuar këtë situatë”, tha Kodheli.

Ministrja shtoi se “operacionet janë zhvilluar në 9 qarqe dhe janë angazhuar 2750 forca ose 1/3 e të gjithë forcës sonë të armatosur”.

Në fund, Kodheli bëri një thirrje edhe për të gjithë qytetarët: “Kjo situatë e vështirë ka bërë që shtete të fuqishme si Franca e Portugalia të kërkojnë ndihmë. I bëj thirrje të gjithë qytetarëve për të kontribuar në përballimin e situatës. I bëj thirrje edhe që të mos e krijojnë situatën. Operacionet kanë kushtuar mbi 30 milionë lekë, që janë para’ taksapaguesish. Duhet t’i ruajmë pemët e kullotat, ndaj ju lutem që ta shtojmë kujdesin bashkarisht”. /TopChannel/