Zhvendosje e vëmendjes, forca të mëdha policore në Kumanovë dhe Likovë

Forca të mëdha policore janë stacionuar në rajonin e Likovës dhe Kumanovës, pas një informate për vërejtje të lëvizjeve të grupeve të armatosura në këtë pjesë të Maqedonisë.

Lajme

07/05/2015 23:48

Në hyrjet dhe daljet e komunës së Kumanovës janë të stacionuara njësite policore speciale, të cilat ndalojnë çdo hyrje-dalje për në rajonin e komunës së Likovës.

Banorët alarmojnë në adresë të INA-s praninë e shtuar policore dhe kontrollin e çdo automjeti a mjeti tjetër që lëviz nëpër këto akse rrugore. Prania policore është edhe në hyrje-daljet e Kumanovës.

Nuk jepen detaje për këtë prani të shtuar policore dhe kontrollet e shpeshtuara, por mendohet se kjo është pasojë e një informate të publikuar sot për gjoja lëvizjet e grupeve të armatosura në malësinë e Kumanovës.

Ka gjasa shumë të mëdha që ajo informatë të jetë plasuar nga qarqe qeveritare, për të filluar me këtë aksion policor dhe për të zhvendosur vëmendjen e opinionit në këtë kohë të krizës më të madhe të Maqedonisë, që nga krijimi i saj para mbi 70 vjetësh. Në Shkup, por edhe nëpër qytete tjera të mëdha në këtë republikë tash e tre ditë po protestohet masivisht dhe po kërkohet dorëheqja e kryeministrit Nikolla Gruevski dhe kabinetit të tij ministror, të cilit i doli krejtësisht boja pas publikimit të përgjimeve mbi skandalet e shumta të bëra gjatë viteve të fundit.