Zhbërja e politikës

Ne sot realisht, në Kosovë, jemi pa politikë të mirëfilltë, sepse politika, mbi të gjitha është institucion apo mekanizëm vendimmarrës, është burim i stabilitetit, është busollë orientimi e një shoqërie.

Lajme

02/09/2016 14:19

Shkruan: Blerim Shala

Ngjarjet në politikën kosovare tash e njëzet muaj, kanë marrë një kahje të tillë, saqë mund të konstatohet, me një siguri të madhe, që kjo politikë, nuk mund dot të përshkruhet brenda skemës së një gare të rëndomtë politike në mes të Qeverisë dhe opozitës, që e tëra nuk është punë fati e një Qeverie apo të mandatit të saj, që e gjitha nuk shpjegohet dot më si një përplasje politike për rrjedhën e dy Marrëveshjeve  (për Asociacionin dhe për Shenjimin e kufirit me Malin e Zi), të cilat kanë një peshë të veçantë për këtë vend.

S’do mend që të gjitha këto që u përmendën, dhe shumë episode të tjera të politikës kosovare që është në një proces të degradimit të vazhdueshëm, janë simptome të qarta të problemeve të kësaj politike. Por, problemi më i madh dhe më kryesori i kësaj politike është ndryshimi rrënjësor që ka pësuar ajo në Kosovë, në këto njëzet muajtë e mbramë.

Çka karakterizon këtë ndryshim thelbësor, apo, në ç’mënyrë shprehet ai?

Së pari, është në fuqi, me rëniet dhe ngritjet e veta, që prej vitit 2015 e këndej, parimi kryesor i konfrontimit të vazhdueshëm politik, i cili në realitet, i ngjet një fushate permanente parazgjedhore. Demokracia kudo në Botë ka gjithsesi edhe situata kur për shkak të natyrës së një teme të rëndësishme për vendin, ndodhë ngritja e tensioneve në komunikimin në mes të dy palëve  (qeveritarëve dhe opozitarëve), dhe në vetë procesin e vendim-marrjes. Por, rëndom, përplasjet e karakterit përjashtues, kthehen në skenën politike vetëm në atë fazën e fushatës parazgjedhore, kur para votuesit duhet të servohen qëndrime të cilat bëjnë identitetin partiak, dhe të cilat ofrojnë zgjidhjen e problemeve politike, ekonomike dhe sociale me të cilat përballet ai vend. Në periudhën tjetër, demokracia në masë të madhe është një bashkëbisedim cilësor për mënyrën se si punon Qeveria e një vendi, duke shfrytëzuar veçmas Parlamentin si qendër për debate politike dhe për konfirmimin apo kundërshtimin e vendimarrjeve të një Qeverie.

Te ne politika është kthyer në një fushëbetejë të vazhdueshme, ku thuaja secila temë a njësi politike që trajtohet  (ta zëmë, edhe puna e autobusëve që duhet të blihen në Komunën e Prishtinës), sjell barikadat dhe istikamat politike, të cilat objektivisht, janë kërcënim për stabilitetin e këtij shteti.

Së dyti, si rrjedhojë e këtij tipari mbizotërues të politikës kosovare tash e gati dy vjet, kemi mungesë kronike të dialogut dhe të komunikimit të mirëfilltë midis politikanëve dhe entiteve politike. Diçka e tillë është e paimagjinueshme në një shtet demokratik.

Së treti, sërish në ndërlidhje me këtë veçorinë kryesore të politikës në vend, dhuna e lloj-llojshme, e shprehur në forma të ndryshme, me ngjarje të njohura për të gjithë ne, është bërë faktor politik, i cili gjithsesi influencon rrjedhat në vend. Kjo dhunë, tek e mbrama, nuk është aksidentale dhe as incidentale, por synon pikërisht që t’i jep drejtim politikës kosovare. Kështu edhe ka ndodhur.

Së katërti, diskursi politik që në masë të madhe është përqafuar tek partitë dhe entitetet tona, shquhet gjithsesi me mosdurim, me akuza të rënda, me logjikë të përjashtimit, edhe me tone të qarta kërcënuese dhe të urrejtjes. Është ky një diskurs që paralajmëron thellimin e telasheve të gjithëfarshme në këtë vend.

Së pesti, me apo po dashje, me politikën që është në fuqi në Kosovë tash e sa kohë, ne mëdyshim vlerën afatgjatë të shtetit të Kosovës, dhe poashtu, ne kemi arritur që të kontestojmë validitetin e marrëdhënieve të Kosovës me shtetet kryesore perëndimore, të cilat kanë pasë rol vendimtar, nga kjo ana ndërkombëtare, në çlirimin e këtij vendi dhe në krijimin e shtetit të Kosovës.

Në përgjithësi pra, kemi punuar mbrapsht sa të duash, ashtuqë mund të theksohet që një politikë që ishte në fuqi në Kosovë, me të gjitha të metat që kishte, deri në pranverën e vitit 2014, apo para mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, nuk ekziston më në këtë vend.

Ka një mori shkaqesh që kanë përcaktuar që ne sot realisht, në Kosovë, jemi pa politikë të mirëfilltë, sepse politika, mbi të gjitha është institucion apo mekanizëm vendimmarrës, është burim i stabilitetit, është busollë orientimi e një shoqërie.

Në shpërputhje me këtë numër të madh të shkaqeve, janë udhët që na kthejnë mbarë.

Ato, në realitet, janë në mbyllje apo në zhdukje e sipër. Çdo ditë e më tepër.

(Autori është opinionist i rregullt i lajmi.net)