Zgjedhjet në Vushtrri, qytetarët të kënaqur me mbarëvajtjen e procesit
Qytetarët e komunës së Vushtrrisë në zgjedhjet lokale 2025, janë shprehur të kënaqur me procesin zgjedhor, duke shpresuar që të fitojë më i miri për komunën e tyre. Në Qendrën e Votimit “Bahri Haxha” sot po zhvillohet procesi i votimit në mënyrë të qetë, ku deri më tani nuk ka parregullsi, raporton KP. Qytetarja Fikrije…

Lajme
Qytetarët e komunës së Vushtrrisë në zgjedhjet lokale 2025, janë shprehur të kënaqur me procesin zgjedhor, duke shpresuar që të fitojë më i miri për komunën e tyre.
Në Qendrën e Votimit “Bahri Haxha” sot po zhvillohet procesi i votimit në mënyrë të qetë, ku deri më tani nuk ka parregullsi, raporton KP.
Qytetarja Fikrije Haradinaj u shpreh se gjatë votimit gjithçka ishte në rregull. Ajo tha se votimi i qytetarëve është për të mirën e komunës së tyre.
“Mirë shumë, jo shumë mirë ka shkuar gjithçka, nuk kemi pritur gjatë. Është nderi jonë, kjo është për të mirën e vendit tonë dhe jemi të lumtur që kemi dalë të votojmë“, tha Haradinaj.
Hajri Saraqi tregon kënaqësi me organizimin dhe mikpritjen në qendrën e votimit.
“Nuk bën më mirë, kishim mirëpritje shumë të mirë, vajzat punuan si duhet dhe po ashtu ishte dhe një koordinatore shembull për të mirë”, tha Saraqi.
Edhe qytetarja Nexhmije Saraqi u shpreh e kënaqur me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
“Procesi ka vazhduar shumë mirë pa asnjë parregullsi, votuam e kryem obligimin tonë, uroj të fitoj më i miri”, tha Saraqi.
Në këtë qendër votimit nga ora shtatë e mëngjesit deri më 17:00 kanë votuar tre mijë e 811 qytetarë në 14 vendvotime. Ndërkaq, në “Bahri Haxha” numri i qytetarëve me të drejtë vote është mbi 12 mijë. Në komunën e Vushtrrisë deri në ora 17:00 kanë votuar 24 mijë e 910 qytetarë prej gjithsej 77 mijë e 83 sa janë të regjistruar me të drejtë vote.