Zgjedhjet lokale, sot tërhiqet shorti për renditjen e subjekteve politike
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) organizon sot tërheqjen e shortit për renditjen e subjekteve politike të certifikuara në fletëvotimet e zgjedhjeve lokale më 12 tetor 2025. Tërheqja e shortit do të bëhet nga ora 11:00, thuhet në njoftimin për media nga KQZ-ja. Më 12 tetor 2025 do të mbahen zgjedhjet e rregullta për kryetar të…

Lajme
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) organizon sot tërheqjen e shortit për renditjen e subjekteve politike të certifikuara në fletëvotimet e zgjedhjeve lokale më 12 tetor 2025.
Tërheqja e shortit do të bëhet nga ora 11:00, thuhet në njoftimin për media nga KQZ-ja.
Më 12 tetor 2025 do të mbahen zgjedhjet e rregullta për kryetar të komunave dhe asamblistë të kuvendeve komunale.
Fushata zgjedhore nis më 13 shtator 2025 dhe zgjat deri më 12 tetor 2025, në orën 06:59
Regjistrimi i votuesve jashtë Kosovës për votim me postë, i hapur më 23 korrik, ka përfunduar më 29 gusht 2025. Periudha për votim me postë nis më 17 shtator dhe përfundon më 11 tetor 2025.
Ndryshe në mbledhjen e 54-të të mbajtur të mërkurën KQZ vendosi për decertifikimin e 9 kandidatëve nga subjekte të ndryshme politike: një nga “Prishtina në dorën tënde”, një nga Partia Demokratike e Kosovës, një nga Lëvizja për Bashkimin e Shqiptarëve, dy nga Partia Liberale Egjiptiane dhe katër nga Alternativa. Këta kandidatë ishin certifikuar më herët për pjesëmarrje në zgjedhje.
KQZ miratoi edhe rekomandimin e Komisionit për Kundërshtim Administrativ, që kishte shqyrtuar 275 ankesa të aplikuesve të refuzuar për regjistrim si votues jashtë Kosovës.
Nga këto: 174 ankesa janë refuzuar për shkak të mosrespektimit të procedurës, 77 ankesa janë aprovuar pas kompletimit të dokumenteve, 24 shtetas janë rikthyer në Listën Votuese brenda Kosovës, me kërkesën e tyre për anulimin e regjistrimit për votim jashtë vendit.