Zgjedhjet lokale: LSDM dhe VMRO joshin votuesit shqiptarë
.
Lajme
Gara politike në Maqedoni ka filluar. Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti ka theksuar se kandidatët e partisë së tij kanë projekte të shumta për zhvillimin e komunave dhe se theksi kryesor gjatë fushatës do të jenë projektet e infrastrukturës, që sipas tij do të përmirësojnë jetën e qytetarëve nëpër komuna.
Ahmeti: Ndajmë një hapësirë të përbashkët
Ahmeti gjithashtu ka folur për partneritetin dhe marrëveshjen e arritur me LSDM-në. “Qëllimi është që ne të krijojmë klimë dhe të japim porosi për qytetarët se këta qytetarë ndajnë fatet dhe jetojnë nën qiell dhe hapësirë të përbashkët, andaj mendohej se duhet që edhe politikisht të afrohen mes vete, rreth një kandidati shqiptar, rreth një kandidati maqedonas. Në këtë drejtim ne kemi investuar dhe do të investojmë”, ka deklaruar kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Aleanca: Rinia – aseti më i fuqishëm
Lideri i Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela njëherazi edhe kandidat për kryetar në Komunën e Strugës ka theksuar se rinia shqiptare është aseti i tij më i fuqishëm në zgjedhjet e 15 tetorit.
“Një gjë është e vërtetë, çdo gjë që e kemi bërë e kemi bërë në emrin e rinisë, në emër të perspektivës që duhet ta kenë gjeneratat e reja këtu në vendlindjen e tyre”, ka theksuar Sela në hapjen e fushatës.
Besa: Vëmendje problemeve në terren
Nga Lëvizja Besa, partia më e madhe e opozitës shqiptare, thonë se programi i tyre kryesisht ka të bëjë me nevojat e shqiptarëve në nivelin lokal, që sipas tyre, janë në gjendje të rëndë nga qeverisja e keqe e drejtuesve të tyre nga BDI-ja e Ali Ahmetit. “Lëvizja Besa programin e saj për zgjedhjet lokale e ka projektuar në pesë shtylla; shtylla e parë është që të çlirohen komunat nga borxhet, korrupsioni, mafia urbane, pika tjetër ka të bëjë me zhvillimin ekonomik, stimulimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mëdha përmes tërheqjes edhe të investitorëve të jashtëm, si dhe pika tjetër që ka bëjë me sportin dhe rekreacionin”, thotë Faton Fazliu, nga Lëvizja Besa.
PDSH: Interes që shqiptarët të fitojnë në zonat e tyre
PDSH që drejtohet nga Menduh Thaçi thotë se pala maqedonase përmes partnerëve shqiptarë në qeveri synon të ngushtojë hapësirat e banuara me shqiptarë. “Ne jemi jashtëzakonisht të interesuar që shqiptarët në këto zgjedhje së bashku me aleatët e tyre, të ngadhënjejnë në të gjitha territoret e tyre. Klani i maqedonasve punon me shumë angazhim që në këto zgjedhje në disa komuna, ku nuk janë shumicë të fitojnë kandidatët e tyre. Ata duan që ta shtrydhin territorin, ta zvogëlojnë territorin ku jetojnë shqiptarët, që territori i maqedonasve të rritet në 93 apo 94 për qind”, ka deklaruar Thaçi në konventën partiake.
LSDM dhe VMRO- synim votat e shqiptarëve
Dy partitë kryesore maqedonase LSDM dhe VMRO në këtë fushatë për zgjedhjet lokale si asnjëherë më parë synojnë votat edhe në vendbanimet shqiptare. Retorika e tyre është zbutur tejmase, ata flasin për shqiptarët dhe të drejtat e tyre elementare. Lidhja Social-demokrate që drejton Qeverinë, edhe në pushtetit lokal do të vazhdojë me retorikën e zgjedhjeve të fundit parlamentare duke u angazhuar për një shoqëri për të gjithë.
LSDM: Shoqëri për të gjithë
LSDM-ja pretendon që këtë koncept ta zhvillojë në partneritet me BDI-në e Ali Ahmetit, me të cilën është në koalicion qeveritar. “Këto zgjedhje janë zgjedhje të personaliteteve dhe me të drejtë qytetarët kërkojnë kuadro me kualitet të lartë, për të cilët do të votojmë. Ne duam që konceptin tonë për jetë në Maqedoni, apo një shoqëri për të gjithë, ta vazhdojmë edhe në nivelin lokal. Ne ofrojmë zgjidhjet më të mira, si me kandidat ashtu edhe me programe. Ne si partner qeveritar do ta mbështesim njëri-tjetrin në disa komuna”, ka deklaruar Zoran Zaev, kryeministër dhe kryetar i LSDM-së. Kjo parti ka nxjerrë edhe kandidatë shqiptarë në disa komuna, në të cilat shënoi rezultat të mirë në zgjedhjet e 11 qershorit.
VMRO-DMPNE: Oferta jonë kundër kaosit të LSDM-s
Kryetari i VMRO-DPMNE-s Nikolla Gruevski thotë se oferta e tyre, përkushtimi, përgjegjësia dhe dija do të jenë përgjigja më e mirë për kaosin dhe pasigurinë që e ka shkaktuar LSDM-ja.
“Maqedonia do të kthehet në rrugën e suksesit dhe zhvillimit dhe atë rrugë do ta udhëheqim ne së bashku me qytetarët. Këto zgjedhje janë një mëngjes i ri për të gjithë ne”, ka deklaruar Nikolla Gruevski, kryetar i VMRO DPMNE-së opozitare.
Fushata elektorale për zgjedhjet e 15 tetorit zgjat 20 ditë. Në garë për drejtimin e 80 komunave dhe Shkupin si njësi e veçantë e pushtetit lokal marrin pjesë 19 parti politike dhe koalicione si dhe disa lista të kandidatëve të pavarur për këshilltar komunal./DW