Zëvendësim i planifikuar

Selektori i Holandës, Louis van Gaal ka theksuar se e kishte planifikuar zëvendësimin e Jasper Cillessen me Tim Krul, nëse ndeshja me Kosta Rikën do të shkonte në penallti. Dhe, ky vendim ia solli fitoren.

Sport

06/07/2014 10:35

Si do që të shkojë, do t’i ketë edhe dy ndeshje në Kampionatin botëror. Ose për të ngritur trofeun, ose për t’u ngushëlluar me pozitën e tretë, vetëm koha do ta tregojë.

Holanda e Louis van Gaalit u kualifikua në gjysmëfinale të Kampionatit botëror për herë të dytë të njëpasnjëshme.

U nevojitën penalltitë për të mposhtur Kosta Rikën e fortë dhe kompakte, befasinë e garës. Van Gaal, ekspert i madh i futbollit befasoi fare në fund kur inkuadroi në lojë portierin Tim Krul në vend të Jasper Cillessen, pikërisht për ekzekutimin e penalltive. Dhe, Krul priti dy goditje të Kosta Rikës duke e kualifikuar Holandën përpara.

“Jemi të gjithë krenarë që kemi adaptuar këtë taktikë të portierit në minutën e 120-të. E kemi menduar edhe më herët. Secili futbollist në ekipin tim ka kualitete të pamohueshme. Të gjithë mendonin se Tim do të ishte portieri më i përshtatshëm”, deklaroi Van Gaal.

“Me Cillessenin nuk kemi folur asgjë para ndeshjes, do të ishte e dëshpërueshme për të. Por, secili portier i ka kualitetet e tij dhe Tim ka një krah më të gjerë dhe mundësi më të mira për të pritur penalltitë”, u shpreh ai.