Zemaj: Qeveria Kurti dëmtoi shëndetësinë, Kushtetuesja e ndali
Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka akuzuar Qeverinë Kurti dhe Ministrinë e Shëndetësisë për keqmenaxhim dhe paaftësi gjatë katër viteve të fundit, duke thënë se kjo ka sjellë pasoja të rënda për qytetarët dhe pacientët në vend. Në një postim në Facebook, Zemaj ka reaguar pas vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, e cila ka…

Lajme
Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka akuzuar Qeverinë Kurti dhe Ministrinë e Shëndetësisë për keqmenaxhim dhe paaftësi gjatë katër viteve të fundit, duke thënë se kjo ka sjellë pasoja të rënda për qytetarët dhe pacientët në vend.
Në një postim në Facebook, Zemaj ka reaguar pas vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, e cila ka konstatuar se paragrafi 1 i nenit 11 të Statutit të ShSKUK-së, i miratuar më 27 dhjetor 2023 nga Qeveria, nuk është në përputhje me nenin 51 (Mbrojtja Shëndetësore dhe Sociale), nenin 7 (Vlerat) dhe nenin 92 (Parimet e Përgjithshme) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Sipas Zemajt, përmes këtij vendimi është ndaluar një qasje e rrezikshme e Qeverisë në detyrë, e cila synonte – siç tha ai – dobësimin e sektorit publik shëndetësor në favor të interesave të sektorit privat, shpesh përmes veprimeve të mbuluara me mashtrime dhe të realizuara në mënyrë perfide.
“Sot, kjo qasje u ndalua nga Gjykata Kushtetuese. Ndryshimet në statutin e ri të QKUK-së synonin zvogëlimin e ofrimit të shërbimeve shëndetësore dhe krijimin e pabarazisë mes sektorit publik dhe atij privat,” ka shkruar Zemaj.
Ai kritikoi gjithashtu mungesën e një ligji të ri për shëndetësinë dhe mungesën e një strategie të re sektoriale, duke thënë se keqmenaxhimi i deritashëm ka krijuar dëme të mëdha që nuk mund të riparohen lehtë. Sipas tij, politikat e zbatuara kanë reflektuar më shumë interesat e grupeve farmaceutike, sesa kujdesin ndaj qytetarëve dhe pacientëve.
Statuti i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK) ishte dërguar vitin e kaluar në Gjykatën Kushtetuese nga Avokati i Popullit, me dyshimin se përmes tij po mbylleshin shërbime në sektorin publik për të favorizuar sektorin privat.
Këto pretendime u mbështetën nga deputeti Zemaj, nga Kryetarja e Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, si dhe nga Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, ndërsa u kundërshtuan nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.