Zelensky: Evropës i nevojiten mbrojtje që janë në gjendje t’u bëjnë ballë dronëve
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i ka paralajmëruar të enjten liderët evropianë se Rusia ka aftësinë për ta shkelur hapësirën ajrore kudo në kontinent, prandaj u bëri thirrje atyre të zhvillojnë forca mbrojtëse për t’i zmbrapsur dronët. “Nëse rusët guxojnë të lëshojnë dronë kundër Polonisë, ose ta shkelin hapësirën ajrore të vendeve të Evropës veriore,…

Bota
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i ka paralajmëruar të enjten liderët evropianë se Rusia ka aftësinë për ta shkelur hapësirën ajrore kudo në kontinent, prandaj u bëri thirrje atyre të zhvillojnë forca mbrojtëse për t’i zmbrapsur dronët.
“Nëse rusët guxojnë të lëshojnë dronë kundër Polonisë, ose ta shkelin hapësirën ajrore të vendeve të Evropës veriore, kjo do të thotë se mund të ndodhë kudo”, tha Zelensky para liderëve evropianë të mbledhur në një samit për sigurinë dhe mbrojtjen në Kopenhagë.
“Në Evropën Perëndimore, në jug, kemi nevojë për reagim të shpejtë dhe forca mbrojtëse efektive që dinë si të merren me dronët”, shtoi ai.
Samiti i Komunitetit Politik Evropian vjen pas shfaqjes së dronëve në Danimarkë, që detyruan mbylljen e aeroportit të Kopenhagës më 22 shtator, si dhe pas disa shkeljeve të hapësirës ajrore të vendeve evropiane nga dronët rusë.
Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, e cila është mikpritëse e takimit, tha se Ukraina është eksperti më i madh në botë për mbrojtjen kundër dronëve, dhe i këshilloi vendet e tjera evropiane “t’i marrin të gjitha përvojat, teknologjinë e re dhe risitë nga Ukraina dhe t’i vendosin në procesin tonë të riarmatimit”.
Kryeministri i Norvegjisë, Jonas Gahr Store, vendi i të cilit po ashtu ka përjetuar kohët e fundit incidente me dronë që penguan trafikun ajror, tha se vendet evropiane po nxjerrin “mësime shumë të vështira” nga përvoja e Ukrainës në përballjen me dronët rusë.
“Duhet ta përmirësojmë kapacitetin tonë të zbulimit. Duhet ta forcojmë bashkëpunimin mes policisë dhe ushtrisë, dhe po punojmë për këtë”, tha Store.
Shefi i NATO-s, Mark Rutte, tha se Ukraina është “fuqi e madhe” në teknologjinë kundër dronëve, dhe shtoi se teknologjitë dhe njohuritë e fituara gjatë luftës po i ndan me Danimarkën, Poloninë dhe NATO-n në përgjithësi.
Pak para fillimit të takimit në Kopenhagë, Rusia vazhdoi sulmet mbi fqinjin e saj perëndimor, duke goditur një depo hekurudhore në Odesa.
Oleksiy Kuleba, ministri ukrainas i Zhvillimit Territorial, tha se ky ishte një tjetër shembull i përpjekjeve të Rusisë për të “shkatërruar një nga themelet e qëndrueshmërisë së Ukrainës” duke goditur infrastrukturën.
Ai theksoi gjithashtu se sulme me raketa dhe dronë u raportuan edhe në rajonet e Kievit, Dnipropetrovskut dhe Zaporizhjas.
Frederiksen e quajti më herët “luftë hibride” shkeljen e hapësirës ajrore nga dronët, duke theksuar se e sheh Ukrainën si “vijën e parë të mbrojtjes”.
“Nga një këndvështrim evropian, ka vetëm një vend që është i gatshëm të na kërcënojë, dhe ajo është Rusia, prandaj kemi nevojë për një përgjigje shumë të fortë”, tha ajo para takimit.
Samiti i Kopenhagës zhvillohet në një kohë kur gjasat për paqe duken më të largëta se kurrë, ndërsa pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia po i afrohet vitit të katërt.
Ndërkohë që përpjekjet e SHBA-së për të ndërmjetësuar një marrëveshje paqeje kanë sjellë pak përparim, qëndrimet e Ukrainës dhe Rusisë mbeten shumë të kundërta.
Presidenti amerikan Donald Trump deri tani nuk ka arritur të organizojë një samit trepalësh apo një takim ballë për ballë mes presidentëve të Rusisë dhe Ukrainës.
Dy palët kanë rënë dakord për shkëmbime të herëpashershme të të burgosurve, dhe më 2 tetor u zhvillua një tjetër shkëmbim. Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha në Telegram se 185 ushtarë rusë ishin kthyer, duke shtuar se 20 civilë u liruan gjithashtu si pjesë e shkëmbimit.
Zelensky gjithashtu e konfirmoi shkëmbimin, duke publikuar fotografi të ukrainasve të liruar të mbështjellë me flamuj ukrainas.
“Po i sjellim në shtëpi 185 nga mbrojtësit tanë nga robëria ruse. Njëqind e tetëdhjetë e tre janë ushtarë dhe rreshterë, dhe dy janë oficerë”, tha Zelensky në X.
Ai shtoi se edhe 20 civilë po kthehen në shtëpi. /REL