Zbulohen edhe 20 këngë të papërfunduara të Michael Jackson

Deri më tani janë publikuar dy albume postmortum, “Michael” në vitin 2010 dhe “Xscape” në vitin 2014.

ShowBiz

26/07/2015 14:58

Ish-inxhinieri i zërit të Michael Jackson, Michael Durham Prince, thotë se në kompjuterin e tij ka ruajtur “20 këngë të papërfunduara që kurrë nuk u publikuan” të mbretit të muzikës pop, Michael Jackson.

“Nuk kam asnjë të drejtë që të zbuloj emrin e këtyre këngëve, ose t’i publikoj”, tha Prince, i cili ka punuar me Jackson nga viti 1995 deri në vdekjen e tij në vitin 2009. Ai vuri në dukje se publiku mund të presë një tjetër album të këngëtarit legjendar, transmeton AA.

“Besoj se do të ketë akoma albume, por tani për tani kemi në plan që të publikojmë disa këngë të reja në çdo gjashtë muaj. Ka shumë punë. Michael nuk ka kënduar refrene në xhirimet-demo, kështu që duhet të gjejmë dikë që do t’i këndoj këto”, tha ai.

Sipas mediave amerikane, familja Jackson, trashëgimtarët e tij dhe kompania e tij e xhirimeve, do të japë fjalën e fundit për çdo gjë. Deri më tani janë publikuar dy albume postmortum, “Michael” në vitin 2010 dhe “Xscape” në vitin 2014./KultPlus