Zbulohen detaje të reja nga dosja ndaj Endrit Azemit, çfarë ndodhi pasi iu bllokuan llogaritë bankare?

Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke ia caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji të pandehurit Endrit Azemi, i cili dyshohet për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi”. “Betimi për Drejtësi” ka siguruar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit, në të cilën thuhet se…

Lajme

23/11/2026 17:28

Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke ia caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji të pandehurit Endrit Azemi, i cili dyshohet për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi”.

“Betimi për Drejtësi” ka siguruar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit, në të cilën thuhet se Endrit Azemi dyshohet se nga 11 nëntori 2026 deri më 21 nëntor 2026, me dashje dhe në vazhdimësi dhe me qëllim të përfitimit të kundërligishëm pasuror për vete, duke e përdorur metodën e mashtrimit, i sjellë në lajthim personat tjerë.

Prokuroria thotë se i dyshuari ka sajuar situatën kinse është i sëmurë me sëmundjen e Leukemisë Akute, duke prezantuar dokumentacion të rremë nga spitali “Acibadem Altzunizade” në Stamboll të Turqisë, me arsyetimin se do t’i nënshtrohet trajtimit lidhur me sëmundjen, e më pas përmes hapjes së “GoFund” dhe aktivitetit të familjarëve dhe personave të ndryshëm në qytetin e Gjilanit, arrin të grumbullojë shumën prej 165 mijë e 522 euro.

Aty thuhet se në “GoFund”, si dhe nga aktiviteti për grumbullimin e mjeteve në qytetin e Gjilanit, janë grumbulluar shuma prej 26 mijë e 684 euro e 8 centë, me çka të dëmtuarve, konkretisht qytetarëve të ndryshëm, iu ka shkaktuar dëm material në vlera të ndryshme, e që shuma e tërësishme arrin vlerën prej 189 mijë e 206 euro e 8 centë, duke krijuar dobi pasurore për vete.

Me këto veprime, dyshohet se ka kryer veprën penale “Mashtrimi” nga neni 323, paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 e lidhur me nenin 77 të Kodit Penal.

Prokuroria thekson se më 22 nëntor 2026 ka pranuar kallëzim penal të parashtruar nga Policia. Pas analizimit të të gjitha provave që i janë bashkëngjitur kallëzimit penal, Prokuroria ka ardhur në përfundim se veprimet inkriminuese të të pandehurit përbëjnë elementet esenciale të veprës penale të “Mashtrimit”.

Prokuroria ka vlerësuar se ekziston rreziku për ikjen e të pandehurit, për pengim në rrjedhën e procedurës penale duke ndryshuar apo asgjësuar provat, apo duke ndikuar në ndonjë dëshmitar eventual, pastaj është vlerësuar pesha e veprës penale, mënyra dhe rrethanat në të cilat është kryer.

Sipas Prokurorisë, të gjitha këto mund të tregojnë rrezikun e përsëritjes së veprës penale.

Andaj, gjyqtarit të procedurës paraprake iu propozua që kërkesa të aprovohet si e bazuar dhe të caktohet masa e paraburgimit.

Prokuroria thekson se i pandehuri ka qenë në kërkim, por për shkak të gjendjes financiare pasi i janë bllokuar mjetet financiare, është kthyet në Kosovë, andaj me lënien e tij në liri, mund të arratiset nga Kosova.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, vepra penale është kryer me dashje, me qëllim përfitimin personal dhe se veprimet e tij ndikojnë negativisht që qytetarët të humbin besimin për të ndihmuar në rastet që kanë nevojë për trajtime mjekësore, duke ndikuar të mos kontribuojnë financiarisht.