Ymeri i drejtohet Qeverisë: A mund ta demantoni që nuk i keni marrë para Martin Berishajt për fushatë dhe nuk i keni borxh Vuk Hamoviqit, ujkut të qeverisë tuaj?
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Ymeri, ka ngritur akuza të rënda ndaj Qeverisë Kurti lidhur me sektorin e energjisë, duke pretenduar se Kosova po merr energji nga Vuk Hamoviq. Gjatë debatit në Kuvend për Raportin e Progresit, Ymeri deklaroi se, sipas saj, tashmë ekzistojnë edhe prova nga Dogana e Kosovës që dëshmojnë këtë,…
Lajme
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Ymeri, ka ngritur akuza të rënda ndaj Qeverisë Kurti lidhur me sektorin e energjisë, duke pretenduar se Kosova po merr energji nga Vuk Hamoviq.
Gjatë debatit në Kuvend për Raportin e Progresit, Ymeri deklaroi se, sipas saj, tashmë ekzistojnë edhe prova nga Dogana e Kosovës që dëshmojnë këtë, ndërsa përgjegjësinë për rritjen e inflacionit në vend ia atribuoi keqmenaxhimit të sektorit të energjisë, transmeton lajmi.net.
Ajo kundërshtoi arsyetimet se shtrenjtimi i jetesës është pasojë e zhvillimeve në tregjet ndërkombëtare, duke theksuar se ndikim kryesor kanë pasur çmimi i energjisë elektrike dhe ai i shërbimeve.
“Inflacioni nuk është shkaktuar nga Ngushtica e Hormuzit, por nga energjia edhe nga çmimi i energjisë, edhe nga çmimi i shërbimeve”, deklaroi Ymeri.
Duke folur për politikat energjetike të ekzekutivit, deputetja e LDK-së pretendoi se Qeveria ka vepruar në funksion të interesave të Vuk Hamoviqit, ndërsa kritikoi mungesën e progresit në zhvillimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë.
Ajo përmendi edhe Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE), KOSTT-in dhe Martin Berishajn, duke pretenduar se institucionet dhe mekanizmat e sektorit janë përdorur për t’i shërbyer një skeme të caktuar.
Në vazhdim të fjalës së saj, Ymeri iu drejtua drejtpërdrejt përfaqësuesve të Qeverisë me një pyetje lidhur me pretendimet për financimin e fushatës dhe raportet me Hamoviqin.
“A mund ta demantoni që nuk i keni marrë para Martin Berishajt për fushatë dhe nuk i keni borxh Vuk Hamoviqit, ujkut të qeverisë tuaj?”, pyeti ajo.
Deputetja shtoi se për këtë çështje përgjigjen duhet ta japë kryeministri Albin Kurti.
“Me këtë pyetje mund t’i drejtoheni Albin Kurtit dhe nëse mund ta demantojë, mund të vijë këtu”, deklaroi Ymeri.
Akuzat e deputetes u bënë gjatë diskutimit parlamentar për Raportin e Progresit, ndërsa në deklaratat e saj ajo kërkoi llogaridhënie nga Qeveria për mënyrën e menaxhimit të sektorit të energjisë dhe ndikimin e tij në ekonominë e vendit./lajmi.net/