Xhandarmëria serbe futet sërish brenda territorit të Kosovës

Forcat speciale policore serbe janë parë duke hyrë në brendi të fshatit Karaqevë në mesditën e së martës. Përfaqësuesi i fshatit, Selver Lenjani ka thënë se KFOR-i është në dijeni për këtë çështje. Ndërsa, fton Thaçin për një \"selfie\" në Karaqevë.

Lajme

29/04/2014 18:06

Forcat e xhandarmërisë serbe vazhdojnë të provokojnë. Ata janë futur të martën brenda territorit të Kosovës, përkatësisht në fshatin Karaqevë, raporton rajonipress.

Përfaqësuesi i këtij fshati, Selver Lenjani, thotë se banorët po ndihen të pasigurt, pasi sot rreth orës 12 të ditës janë parë pjesëtar të Xhandarmërisë serbe, tek kanë hyrë te vendi i quajtur “Ujii çeshmes”. Sipas Lenjanit, për këtë është informuar edhe KFOR-i.

“Unë e kam thënë edhe njëherë në mënyrë ironike që kryeministri Thaçi le të vije në Karaqevë dhe të bëjë \’selfije\’ se këtu vërtet është nxehtë.

“Jemi pjesë e Kosovës dhe meritojmë një tretman institucional pasi që këtu mbrohet Kosova e jo në Kamenicë siç po pretendon dikush” tha Lenjani i dëshpëruar që ende asnjë zyrtar i lartë qeveritar nuk e ka vizituar këtë pjesë”.

Ai tha se xhandarmëria serbe vazhdon të mbetet e koncentruar në pikën e Ugarit, Stani i Malushit, Guri i bardhë, Roga, Çuka dhe varrezat e Spahoviqe.

“Këto gjashtë pika mbeten problem i përhershëm dhe ne kërkojmë nga Qeveria e Kosovës dhe vet komanda e NATO-së që ta shfrytëzojnë autoritetin dhe njëherë e përgjithmonë ta largojnë këtë rrezik permanent” tha Lenjani.

I shqetësuar është shprehur edhe imami i fshatit Karaqevë të Epërme, Bujar Feha.

“Vërtet është koha e fundit që institucionet tona t\’a mendojnë mirë problemin e Karaqevës, sepse kështu pos që po fyhemi ne si banorë kufitar, po fyhet dhe diplomacia e Kosovës” tha Fera.