West Ham ndryshon planin për Adama Traoren, i ndalohet ngritja e peshave
Sulmuesi spanjoll Adama Traoré nuk do të lejohet më të punojë me pesha në palestër, me vendim të trajnerit portugez Nuno Espírito Santo. Tekniku ka bërë të qartë se lojtari ka nevojë të shmangë ngritjen e peshave dhe të fokusohet vetëm në aspektin fizik parandalues. Vendimi erdhi pasi në rrjetet sociale qarkulloi një video e…
Sport
Sulmuesi spanjoll Adama Traoré nuk do të lejohet më të punojë me pesha në palestër, me vendim të trajnerit portugez Nuno Espírito Santo. Tekniku ka bërë të qartë se lojtari ka nevojë të shmangë ngritjen e peshave dhe të fokusohet vetëm në aspektin fizik parandalues.
Vendimi erdhi pasi në rrjetet sociale qarkulloi një video e publikuar nga bashkëlojtari Crysencio Summerville, ku Traoré shihej duke bërë “bench press” me 145 kilogramë. Në video, Summerville e ngacmonte spanjollin duke e pyetur: “Pse gënjen? Thua që nuk bën pesha në palestër.”, transmeton lajmi.net.
Në konferencën për shtyp para përballjes së Premierligës ndaj Fulhamit, Nuno theksoi se fiziku i Traorés është rezultat i gjenetikës, por se kjo nuk do të thotë që ai duhet të vazhdojë me të njëjtin regjim. “Është e pabesueshme, është gjenetikë. Por ai duhet të shmangë palestrën,” u shpreh trajneri. “I kam thënë të qëndrojë larg saj. Do të bëjë vetëm punë parandaluese, por nuk do të ngrejë pesha.”
Traoré u ribashkua me Nunon pas eksperiencës së përbashkët te Wolverhampton Wanderers F.C., ndërsa aktualisht është pjesë e West Ham United F.C.. Megjithatë, ai ende nuk ka qenë titullar në Premierligë me skuadrën londineze.
Pavarësisht kësaj, Nuno e vlerësoi kontributin e tij në skuadër: “Ai na sjell energji të re dhe përpiqemi çdo ditë ta përmirësojmë. Ka pasur momentet e veta në lojë, por përpara tij janë dy lojtarë në formë shumë të mirë. Ai është i durueshëm dhe pret shansin e tij.”
West Ham do të udhëtojë drejt “Craven Cottage” për ndeshjen e radhës, ndërsa trajneri portugez theksoi se fokusi mbetet vetëm te skuadra e tij. “Ne përqendrohemi te vetja. Nuk morëm rezultatin që donim në ndeshjen e fundit dhe kjo është ajo që duhet të na shqetësojë. Është shumë e rëndësishme për ne,” përfundoi ai./lajmi.net/