VV mbështet “Marshin për Liri”, sulmon Thaçin dhe të tjerët që votuan për Gjykatën Speciale

Lëvizja Vetëvendsje ka deklaruar se e mbështet “Marshin për Liri”, që do të mbahet më 12 shtator në Prishtinë, por në reagimin e saj ka kritikuar ashpër themelimin e Gjykatës Speciale dhe ata që votuan për krijimin e saj. VV e ka cilësuar themelimin e Gjykatës Speciale nga Kuvendi i Kosovës si “dëmin më të…

Lajme

11/09/2026 17:04

Lëvizja Vetëvendsje ka deklaruar se e mbështet “Marshin për Liri”, që do të mbahet më 12 shtator në Prishtinë, por në reagimin e saj ka kritikuar ashpër themelimin e Gjykatës Speciale dhe ata që votuan për krijimin e saj.

VV e ka cilësuar themelimin e Gjykatës Speciale nga Kuvendi i Kosovës si “dëmin më të madh” që i është bërë historisë së luftës çlirimtare dhe themeleve të shtetit të Kosovës, raporton lajmi.net

VV ka akuzuar themeluesit dhe votuesit e Gjykatës Speciale se kanë dëmtuar luftën e UÇK-së, duke kërkuar prej tyre të pranojnë gabimin dhe t’u kërkojnë falje qytetarëve të Kosovës dhe kombit shqiptar.

Postimi i plotë i LVV-së:

Mbështetje “Marshit për Liri” – ata që themeluan Gjykatën Speciale duhet t’i kërkojnë falje popullit të Kosovës dhe mbarë kombit shqiptar
Lëvizja VETËVENDOSJE! mbështet Marshin për Liri, që mbahet më 12 shtator në Prishtinë.
Themelimi i Gjykatës Speciale nga Kuvendi i Kosovës ka qenë dëmi më i madh që i është bërë historisë së luftës çlirimtare dhe themeleve të shtetit të Kosovës.
Gjykata Speciale e ka padrejtësinë në themelin e saj. Me krijimin e saj, Kosova pranoi një rend të jashtëzakonshëm gjyqësor, me fushëveprim të drejtuar ndaj pjesëtarëve të UÇK-së. Parimi i barazisë para ligjit u flijua dhe njëra palë e luftës u veçua për ndjekje. Jashtë këtij gjykimi mbeti shteti serb, me drejtuesit politikë, ushtrinë, policinë, burgjet, varrezat masive dhe gjithë makinërinë që kreu gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte në Kosovë.
Zanafilla e kësaj gjykate ishte politike dhe antishqiptare. Më 15 prill 2008, deputeti rus Konstantin Kosaçev dhe deputeti serb Millosh Aligrudiq u vunë në krye të nismës në Këshillin e Evropës, prej së cilës doli raporti i Dick Martyt. Pretendimi për trafikim organesh e vuri në lëvizje gjithë mekanizmin, megjithëse sot mungon në aktakuzën ndaj drejtuesve të UÇK-së. Akuza e bujshme atëbotë e kreu qëllimin e saj politik e vendosi luftën çlirimtare nën dyshim dhe hapi rrugën për krijimin e një gjykate të posaçme.
Qytetarëve por veçanërisht Deputetëve të Kosovës iu tha se, po të mos e miratonte Kosova themelimin e gjykatës, Rusia do ta ngrinte gjykatën në Këshillin e Sigurimit. Rusia nuk mund ta merrte e vetme një vendim të tillë. Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe Franca kishin mundësi ta pengonin. Frika prej Rusisë u përdor që Kosova ta miratonte vetë nismën e nisur nga përfaqësuesit rusë e serbë.
Dëmi është i thellë. Kushtetuta u ndryshua nën trysni. Sovraniteti i Kosovës shërbeu si mbulesë juridike për një gjykatë të vendosur dhe të drejtuar jashtë vendit. Paraburgimi shumëvjeçar është kthyer në dënim para aktgjykimit. Të akuzuarit mbahen larg familjeve dhe atdheut, ndërsa prezumimi i pafajësisë po zbrazet çdo ditë nga kuptimi. Të gjitha këto janë ditur dhe paralajmëruar me kohë, pra që para 12 vitesh.
Edhe më i rëndë është dëmi ndaj së vërtetës historike. Drejtuesit e qëndresës, pra Shtabi i UÇK-së është vendosur në bankën e të akuzuarve, ndërsa shteti që kreu masakrat, dëbimet dhe zhdukjet me dhunë vazhdon t’i mohojë krimet, t’i lartësojë kriminelët dhe t’i strehojë të kërkuarit. Drejtësia e veçantë për çlirimtarin dhe pandëshkueshmëria për pushtuesin e shtrembërojnë historinë dhe e thellojnë padrejtësinë.
Përgjegjësia penale është individuale. Drejtësia duhet të jetë e barabartë për të gjithë. Gjykata e ndërtuar mbi përzgjedhjen etnike i cenon të dyja këto parime.
Ata që e votuan Gjykatën Speciale duhet të distancohen nga vota e tyre, ta pranojnë gabimin dhe t’u kërkojnë falje qytetarëve të Kosovës dhe kombit tonë, luftëtarëve të UÇK-së dhe familjeve të tyre.
Më 12 shtator marshojmë kundër atyre që e themeluan Gjykatën Speciale dhe për lirinë, drejtësinë, të vërtetën e luftës sonë çlirimtare.
Lëvizja VETËVENDOSJE!
11 shtator 2026./Lajmi.net/