VV: Edhe këtë vit nuk do të ketë liberalizim të vizave

Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur një konferencë për media në lidhje me korrupsionin dhe krimin e organizuar që është kusht i Bashkimit Evropian që qytetarët e Kosovës të gëzojnë liberalizimin e vizave.

Lajme

12/04/2018 14:36

 

Deputetja e Vetëvendosjes, Fitore Pacolli foli para medieve dhe tha se në mbledhjen e komisionit për Integrime Evropiane ishte bërë e qartë që Kosova edhe këtë vit nuk do të ketë liberalizim të vizave.

Pacolli tha se qeveritarët po iu hedhin hi syve të qytetarëve sepse, sipas saj, këtë vit nuk do të ketë liberalizim të vizave sepse korrupsioni është në nivel të lartë në shtetin e Kosovës.“Nga mbledhja që pak më parë mora pjesë, tani jam e sigurt që nuk do të ketë liberalizim të vizave këtë vit. Kosova nuk ka bërë një hap konkret për korrupsionin dhe krimin e organizuar”, shtoi Pacolli.

Ajo tha se në mbledhjen me ministren e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha u shprehën të bindur që nuk do të merrnin përgjigje pozitive, por vetëm shpresonin.

“Ne nuk kemi ecur mjaft me përmbushjen e kushtit themelor dhe Kosova nuk do të ketë viza, edhe pse kemi pasë presion që të kalojë demarkacioni për liberalizimin e vizave, por korrupsioni po del që është proces i rëndë për këtë qeveri dhe i paarritshëm”, tha Pacolli.