​VV barazohet me PDK, dyjat fituan nga 4 palë zgjedhje, LDK mbetet me dy

PDK ka qenë partia që ka fituar më së shumti zgjedhje nacionale në Kosovë, deri më 28 dhjetor të vitit të kaluar. Këtë primat, Partia Demokratike nuk e humbi, ani se në votimet e kësaj dite triumfoi Vetëvendosje. Në fakt, Albin Kurti arriti të barazojë numrin e “trofeve” që kishte arritur subjekti i Hashim Thaçit…

Lajme

09/01/2026 15:01

PDK ka qenë partia që ka fituar më së shumti zgjedhje nacionale në Kosovë, deri më 28 dhjetor të vitit të kaluar.

Këtë primat, Partia Demokratike nuk e humbi, ani se në votimet e kësaj dite triumfoi Vetëvendosje.

Në fakt, Albin Kurti arriti të barazojë numrin e “trofeve” që kishte arritur subjekti i Hashim Thaçit në garat e mëhershme elektorale. Vetëvendosje hipi në 4 fitore, sa i ka edhe PDK-ja.

Hera e tretë që VV doli e para ishte fitorja në zgjedhjet e 9 shkurtit të këtij viti. Triumfi i dytë i këtij subjekti qe ai në zgjedhjet nacionale të 14 shkurtit 2021. Rasti i parë kur Vetëvendosje fitoi një garë elektorale nacionale ishte triumfi “minimalist” më 6 tetor 2019, kur doli me krejt pak më tepër vota se LDK.

Në fakt, sipas një analize të proceseve elektorale edhe PDK është fituese e katërfishtë dhe e barabartë me VV. Herën e fundit kur Partia Demokratike i dominoi votimet ishte më 11 qershor 2017 duke qenë pjesë e koalicionit të madh PAN, bashkë me AAK-në dhe Nismën.

Para këtij procesi elektoral, partia e Hashim Thaçit kishte fituar edhe zgjedhjet e 8 qershorit 2014, ato të 12 dhjetorit 2010 dhe “zgjedhjet e pavarësisë” të 17 nëntorit 2007.

Fituesja me e “pakët” është LDK. Kjo parti ka triumfuar vetëm dy herë, dhe atë në zgjedhjet që u mbajtën sa ishe gjallë kryetari i saj i parë, Ibrahim Rugova. Ky i fitoi “befasishëm” votimet e para që u mbajtën në Kosovën e pasluftës, ato të 17 nëntorit të vitit 2001. Pa ndonjë problem të madh, Rugova i dominoi edhe të dytat, që u organizuan më 24 tetor 2004.