Të Infektuar: 39.057

Të Shëruar: 24.427

Të Vdekur: 1.005

Vushtrria e gatshme për ndeshjen evropiane ndaj Istogut

20:44 | 9 Tetor 2020

Të shtunën (nesër) nga ora 18:00 luhet ndeshja në mes të KHF Vushtrria dhe KHF Istogu, që i takon raundit të dytë të Kupës Evropiane (European Cup) në hendboll.

Vushtrria në fund të qershorit e mposhti Istogun në finale të Kupës së Republikës së Kosovës, ndërsa sukses ndaj istogaseve synon edhe në garat evropiane.

Është hera e parë që dy skuadra nga Kosova përballen mes vete në kuadër të garave të EHF-së.

KHF Vushtrria ka vendosur të organizojë ndeshjen në palestrën e re në Samadrexhë, pasi palestra në Vushtrri nuk plotëson kriteret për ndeshje evropiane.

“Do të na mungojnë tifozët, Forca, në tribuna, por do të mundohemi të japim më të mirën për gjithë qytetin e Vushtrrisë, që jeton me hendbollin. E dimë që përballë e kemi një skuadër mjaft cilësore, që në radhët e saj ka pesë lojtare që nuk janë nga Kosova. Prandaj lirisht mund të them se do të jetë një lojë e fortë, ashtu si cilësohet lojë ndërkombëtare. Por vajzat tona janë të përgatitura për takimin e së shtunës dhe do të japin maksimumin që të dalin fituese”, thotë trajneri i KHF Vushtrria, Arben Parduzi.

“Kemi pasur probleme me organizim të ndeshjes duke pasur parasysh rrethanat në të cilat jemi tash e tetë muaj me virusin COVID-19. Na është dashur të përballemi me problemin e palestrës, por i kemi zbatuar të gjitha masat dhe në fund pasi kemi bërë testin për COVID-19, ka dalë negativ e gjithë skuadra. Pasi palestra në Vushtrri nuk i ka plotësuar kushtet për lojën ndërkombëtare, loja do të luhet në palestrën e Samadrexhës”, ka theksuar Parduzi. /FHK/