Vuçiqi i servon propagandë serbëve: Serbia mund të hyjë në BE para vitit 2030, por pengesë mbetet Kosova
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se beson që Serbia ka gjasa të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian deri në vitin 2030, por ka pranuar se zgjidhja e çështjes së Kosovës mbetet pengesa kryesore në këtë proces. Në një intervistë për televizionin publik serb RTS, Vuçiq tha se në periudhën e ardhshme priten “shumë…
Lajme
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se beson që Serbia ka gjasa të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian deri në vitin 2030, por ka pranuar se zgjidhja e çështjes së Kosovës mbetet pengesa kryesore në këtë proces.
Në një intervistë për televizionin publik serb RTS, Vuçiq tha se në periudhën e ardhshme priten “shumë befasi dhe vendime gjeopolitike”, të cilat, sipas tij, mund të ndikojnë në ritmin e afrimit të Serbisë me BE-në, transmeton lajmi.net.
“Nuk më pëlqen të flas për vite të caktuara, por besoj se ekzistojnë gjasa që Serbia të hyjë në BE para vitit 2030. Megjithatë, ekziston një çështje tjetër – si të zgjidhet çështja e Kosovës. Unë nuk mund dhe nuk do ta pranoj pavarësinë e Kosovës. Nëse dikush tjetër pas meje dëshiron ta bëjë këtë, le ta zgjidhë vetë,” ka deklaruar Vuçiq.
I pyetur nëse interesi i qytetarëve të Serbisë është më i madh për mosvendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë sesa për përshpejtimin e integrimit evropian, Vuçiq është shprehur se tani ekziston “një vrull i ri” në marrëdhëniet me BE-në dhe se Brukseli e kupton më mirë rëndësinë e Serbisë për Evropën.
“Për ne BE-ja është shumë e rëndësishme. Nuk kam asnjë iluzion në këtë drejtim. BE-ja është investitori më i madh dhe vendi ku jetohet më mirë, edhe pse normat e rritjes dhe ekonomia janë në rënie,” ka theksuar ai.
Sa i përket takimit të tij të fundit në Beograd me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Vuçiq ka treguar se kanë zhvilluar një bisedë të gjatë dhe të hapur për çështje kyçe.
“Biseda ishte e hapur dhe e sinqertë, një bisedë mes dy njerëzve që e respektojnë njëri-tjetrin. Kaq mund të them,” ka përfunduar presidenti serb./lajmi.net/