Vuçiqi e hedh topin tek Kurti: Nuk duan marrëveshje për të zhdukurit, as që duan të dialogojnë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se Serbia dëshiron të vazhdojë dialogun me Kosovën, por se është Prishtina ajo që nuk dëshiron diçka të tillë.

Lajme

07/12/2021 13:56

“Ne duam të vazhdojmë dialogun. Duam të arrijmë një marrëveshje për të zhdukurit, por Prishtina është ajo që nuk e dëshiron një gjë të tillë. Ajo nuk dëshiron të flasë fare me ne” u tha Vuçiq gazetarëve pasi vizitoi kantierin e ndërtimit në Beograd, raporton REL-i edicioni serb, përcjell lajmi.net.

Vuçiq tha se nuk beson se Kosova në këtë moment do të ndërmarrë ndonjë veprim serioz kundër serbëve në Kosovë, por se autoritetet në vend, sipas tij, kanë shkelur të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani me bashkësinë ndërkombëtare.

Ai ka përmendur si shembull se procesi i dhënies së lejeve për vizita ishte rënë dakord dhe se Beogradi ka lejuar shumë njerëz nga Kosova që ta vizitojnë Serbinë, por se Prishtina nuk e ka bërë një gjë të tillë.

Peter Stano, zëdhënës i BE-së, tha më 6 dhjetor se parakushti për mbajtjen e takimit të radhës është gatishmëria e palëve për të rënë dakord për rezultate konkrete në të mirë të qytetarëve të tyre.

“Kontakti i fundit i Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri (Josep Borrell) dhe diplomacia në emër të tij nga Përfaqësuesi Special i BE-së për Dialogun Miroslav Lajçak tregoi se nuk ka një gatishmëri të tillë për momentin”, tha Stano në një përgjigje me shkrim. ndaj mediave. /Lajmi.net/