Vuçiq thotë se Serbisë i duhet edhe një dëshmi për të treguar se kush është vrasësi i Ivanoviqit

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, përsëri ka folur për vrasjen e ish-liderit të Iniciativës Qytetare SLS, Oliver Ivanoviq.

Lajme

17/03/2019 23:30

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një intervistë dhënë për “TVPink”, transmeton lajmi.net, ka hedhur poshtë pretendimet e opozitës serbe se ai është i përfshirë apo që mund ta ketë vrarë ish-liderin e SLS-së, Oliver Ivanoviq.

Në këtë intervistë, Vuçiq ka thënë se do të preferonte çdo gjë, përveç siç theksoi ai, të marrë pjesë në një vrasje.

Po ashtu sipas medieve serbe, Vuçiq në këtë intervistë citohet të ketë thënë se autoriteteve serbe i duhet vetëm edhe një dëshmi më shumë për të treguar se kush është vrasësi i vërtetë i Oliver Ivanoviqit, transmeton më tutje lajmi.net.

Vuçiq po ashtu ka thënë se pavarësisht akuzave nga opozita serbe dhe autoritetet e Kosovës se ai është i përfshirë në këtë vrasje apo që mund ta ketë vrarë Ivanoviqin, ai ka thënë se nuk mund ta bindë askund që ta dëshmojë të kundërtën, por që është shprehur i gatshëm që para kujtdo të përgjigjet për këto akuza.

“Kjo është çmenduri. Unë jam gati të shkoj kudo, në çdo kohë dhe para kujtdo që të përgjigjem”, tha Vuçiq.

Ndryshe më 16 janar të vitit të kaluar, Oliver Ivanoviq është vrarë para zyrës së partisë së tij dhe për gjetjen e vrasësit janë angazhuar autoritetet e Kosovës, por që këto të fundit e akuzojnë Serbinë për mosbashkëpunim, pasi që Serbia ka disa dëshmi të cilat Kosova nuk i ka. /Lajmi.net/