Vuçiq e quan “të marrë” deklaratën e Quint-it për zgjedhjet në veri

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha se nuk ka lexuar asnjëherë diçka "më të marrë" se komunikata e vendeve të Quinti-t për zgjedhjet në veri të Kosovës, në të cilën përmendeshin frikësimet në shumë zona të populluara me serbë që kishin ndodhur në vitin 2017-të.

Lajme

21/05/2019 16:49

Vuçiq tha se të gjitha vendet e Quintit dërguan vëzhguesit e tyre për të gjetur ndonjë parregullsi për të cilën më pas do të akuzonin serbët.

“Por, ata nuk munden të gjenin asgjë, kështu që ata duhet të thoshin në një deklaratë se kishte presione në vitin 2017. Imagjinoni të më pyesni diçka, por unë të ju them, dor t’ju kujtoj vitin 2017. Çfarë ka kuptimi ka kjo?”, pyeti Vuçiq.

Të hënën, ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara, të njohura si vendet e Quint-it, thanë se zgjedhjet në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, kanë kaluar në një atmosferë të qetë.

Megjithatë, ato i kujtuan gjetjet e Misionit të Bashkimit Evropian të Vëzhgimit të Zgjedhjeve, më 2017, të cilat shprehnin “shqetësime serioze” për frikësim në shumë zona të populluara me serbë, e sidomos kundër partive politike që konkurronin kundër Listës Serbe.

Zgjedhjet u mbajtën pasi që kryetarët e katër komunave veriore, më 26 nëntor të vitit të kaluar, kanë dhënë dorëheqje, në shenjë pakënaqësie ndaj taksës doganore 100% që Kosova u ka vënë mallrave të importuara nga Serbia.