Vrasje në Prizren pas përleshjes mes dy familjeve kushërinj, humb jetën 27-vjeçari – lëndohet edhe babai i tij

Një person ka humbur jetën si pasojë e një përleshjeje që ka ndodhur paraditen e së dielës në fshatin Kobaj të Prizrenit. Rastin për lajmi.net e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, i cili ka bërë të ditur se rasti është raportuar rreth orës 11:50. Sipas tij, në…

Lajme

14/06/2026 13:48

Një person ka humbur jetën si pasojë e një përleshjeje që ka ndodhur paraditen e së dielës në fshatin Kobaj të Prizrenit.

Rastin për lajmi.net e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, i cili ka bërë të ditur se rasti është raportuar rreth orës 11:50.

Sipas tij, në konflikt janë përfshirë dy familje që janë kushërinj mes vete, ndërsa gjatë përleshjes janë përdorur mjete të forta.

“Si pasojë e lëndimeve të marra nga një mjet i mprehtë (thikë), ka humbur jetën një mashkull rreth 27-vjeç”, ka deklaruar Bytyqi.

Ai ka bërë të ditur po ashtu se nga ngjarja është lënduar edhe babai i viktimës, një mashkull rreth 57-vjeçar.

Personat e dyshuar, si dhe familjarët e viktimës, janë shoqëruar në Stacionin Policor në Prizren për procedura të mëtejshme.

“Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitë përkatëse policore, si dhe eprorët nga Stacioni Policor Prizren dhe Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren. Policia ka ndërmarrë masa sigurie me qëllim të ruajtjes së rendit dhe sigurisë së personave të përfshirë”, ka thënë Bytyqi.

Sipas tij, Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorin e Shtetit është duke zhvilluar hetime intensive për zbardhjen e plotë të rastit.

“Policia, në koordinim të ngushtë me Prokurorin e Shtetit, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit”, ka deklaruar Bytyqi. /Lajmi.net/