Pesë të arrestuar për Masakrën e Reçakut, Prokuroria: Dyshohen se ishin pjesë e njësive speciale serbe
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka bërë të ditur se pesë persona janë arrestuar sot në kuadër të hetimeve që lidhen me Masakrën e Reçakut, një nga krimet më të rënda të kryera gjatë luftës në Kosovë. Detaje rreth aksionit ka dhënë prokurori special Ilir Morina, i cili ka theksuar se arrestimet janë rezultat…
Lajme
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka bërë të ditur se pesë persona janë arrestuar sot në kuadër të hetimeve që lidhen me Masakrën e Reçakut, një nga krimet më të rënda të kryera gjatë luftës në Kosovë.
Detaje rreth aksionit ka dhënë prokurori special Ilir Morina, i cili ka theksuar se arrestimet janë rezultat i hetimeve të vazhdueshme që janë zhvilluar edhe pas ngritjes së aktakuzës për këtë rast në fund të vitit të kaluar.
Sipas Morinës, gjatë muajve të fundit janë siguruar prova dhe janë identifikuar persona të tjerë që dyshohet se kanë qenë të përfshirë në operacionin e forcave serbe në Reçak më 15 janar 1999.
“Hetimet që i kemi vazhduar gjatë këtyre muajve kemi arritur t’i identifikojmë edhe disa persona që kanë qenë pjesë e njësive të veçanta të policisë së Serbisë asokohe dhe që kanë qenë pjesë e aksionit më 15 janar në Reçak”, ka deklaruar Morina.
Autoritetet nuk kanë bërë publike identitetet e të arrestuarve, ndërsa hetimet për rastin po vazhdojnë. Prokuroria ka paralajmëruar se do të ofrojë informacione shtesë lidhur me zhvillimet e mëtejme të këtij rasti. /Lajmi.net/