Vrasja e Shemsi Gashit u pagua nga kushërinjtë e tij

Vrasja e policit Shemsi Gashi dyshohet se është porositur dhe paguar nga kushërinjtë e tij, që kishin pretendime mbi një parcelë toke në lagjen “Mati 1” në Prishtinë.

Lajme

28/03/2015 08:16

Ramadan, Mujë, Agron dhe Adonis Gashi, të arrestuar ditën e vrasjes së policit, dyshohet se kanë zgjedhur dy anëtarë të një grupi kriminal në Prishtinë të quajtur “Bregu Groups”, i përbërë nga dhjetëra të rinj, për ta kryer vrasjen kundrejt një pagese simbolike, shkruan sot Koha Ditore.

Bazuar në këtë marrëveshje, Vesel Gjina dhe Kujtim Bejiqi ia kanë zënë priten të mërkurën oficerit policor, Shemsi Gashi, 61 vjeç, dhe e kanë ekzekutuar në rrugën “Isa Kastrati”, në lagjen “Mati 1”, rreth orës shtatë, derisa i ndjeri ishte nisur në këmbë për në punë.

Shpjegimet për vrasjen i kanë dhënë dy të rinjtë e arrestuar të premten, posa u janë prezantuar provat e Policisë së Kosovës, që ishte një video e incizuar nga një kamerë sigurie e vendosur në një shtëpi private afër vendit të krimit.

Vesel Gjina dhe Kujtim Bejiqi e kanë pranuar krimin, duke sqaruar se janë paguar nga familja Gashi, që kishte pretendime mbi një sipërfaqe toke, pronë e të ndjerit.