Vrasja e policit Trimuf Riza, Gjykata vendos nga 18 vite burgim për Ilir dhe Rrahim Abdullahun
Gjykimi ndaj Ilir Abdullahut i njohur me nofkën “Liza” dhe Rrahim Abdullahu i njohur me nofkën “Rrumqi”, të akuzuar për vrasjen e policit të Kosovës, Triumf Riza, ka marrë epilog në shkallë të parë. Gjykata Themelore në Prishtinë dy të akuzuarit i ka gjetur fajtorë dhe i ka dënuar për vrasje të rëndë në bashkëkryerje.…
Lajme
Gjykimi ndaj Ilir Abdullahut i njohur me nofkën “Liza” dhe Rrahim Abdullahu i njohur me nofkën “Rrumqi”, të akuzuar për vrasjen e policit të Kosovës, Triumf Riza, ka marrë epilog në shkallë të parë.
Gjykata Themelore në Prishtinë dy të akuzuarit i ka gjetur fajtorë dhe i ka dënuar për vrasje të rëndë në bashkëkryerje.
Gjykata dy të akuzuarve secilit veç e veç i shqiptoi nga 18 vite burg.Të akuzuarit Ilir Abdullahu iu vazhdua masa e paraburgimit, ndërsa të akuzuarit Rrahim Abdullahu iu caktua masa e paraburgimit.
Shpallja e këtij aktgjykimi u bë të premtën më 20.11.2026 nga gjyqtari Avni Syla.
Në shpalljen e aktgjykimit Rrahim Abdullahu nuk ishte prezent në sallë, ndërsa i pranishëm ishte i bashkëakuzuari i tij, Ilir Abdullahu.Ilir Abdullahu dhe Rrahim Abdullahu nga Prokuroria Speciale po akuzohen se në bashkëkryerje me Arben Berishën, Fitim Avdiun dhe Enver Sekiraqën kanë vrarë policin e Kosovës, Triumf Riza.Ky rast në rigjykim është trajtuar në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës nga trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Avni Syla (kryetar i trupit gjykues) Lutfi Shala dhe Violeta Namani-Hajra (anëtarë).Në seancën gjyqësore të mbajtur më 21.02.2025 ishte bërë bashkimi i dy lëndëve: bashkimi i lëndës së Rrahim Abdullahut dhe të Ilir Abdullahu.
Rrahim Abdullahu akuzohet për – vrasje të rëndë në bashkëkryerje, por Gjykata e Prishtinës në vitin 2015 e kishte rikualifikuar veprën në – dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprës penale, duke e shpallur fajtor për këtë vepër penale.Gjykata Themelore e Prishtinës me aktgjykim më 04.12.2015 e kishte shpallur fajtor Rrahim Abdullahun për shkak të veprës penale – dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprës penale, dhe e ka gjykuar me dënim burgimi në kohëzgjatje prej 4 vjetëve e 11 muajve.Ndërsa, Gjykata e Apelit e kishte kthyer lëndën ndaj Rrahim Abdullahut në rigjykim.
KALLXO.com kishte siguruar vendimin e Gjykatës së Apelit me të cilin e kishte kthyer në rigjykim lëndën ndaj Rrahim Abdullahut.
“Aprovohen ankesat e Prokurorisë Speciale të Kosovës, të mbrojtësit të të akuzuarit Rrahim Abdullahut, avokatit Miodrag Brkljaq, e sipas detyrës zyrtare Aktgjykimi i Gjykatës Themelore – DKR, në Prishtinë, PKR.nr.211/2014, të datës 04.12.2015 anulohet dhe çështja penale i kthehet Gjykatës së Shkallës së Parë në rigjykim.” – thuhej në vendimin e Gjykatës së Apelit.
Ky vendim ishte marrë nga kolegji i gjyqtarëve i përbërë nga: Xhevdet Abazi (kryetar), Fillim Skoro (gjyqtar referues) dhe Driton Muharremi (anëtar).
Për vrasjen e zyrtarit policor Triumf Riza, që ndodhi më 2007, Policia e Kosovës më 16.07.2023 e kishte arrestuar të dyshuarin Ilir Abdullahu.
Abdullahu ka qenë në kërkim për 15 vjet nga organet e rendit, e arrestimi i tij kishte ndodhur më 16.07.2023 në Batllavë të Podujevës.
Dorasi i shpallur fajtor për vrasjen e Triumf Rizës është Arben Berisha, i cili për këtë vepër u dënua të vuajë 35 vjet burgim dhe Enver Sekiraqa, i cili është shpallur fajtor nga Gjykata Themelore e Prishtinës dhe është dënuar me 25 vjet burg.
Kjo përbën herën e tretë që Sekiraqa dënohet për shtytje në vrasjen e Rizës, 18 vjet më parë. Për herë të parë, më 2016, Sekiraqa ishte dënuar me 36 vjet burgim, kurse sërish më 2019 me 20 vjet burgim. Enver Sekiraqa ndodhet aktualisht në arrati dhe i njëjti kërkohet nga organet e rendit.
“Me parashtresën e datës 11 tetor 2023 mbrojtësi i të pandehurit e ka specifikuar shumën për dorëzani prej 100,000 euro.” – thuhej në aktvendimin që ka siguruar KALLXO.com
Abdullahu, i njohur me nofkën “Liza”, ishte liruar nga paraburgimi nga Gjykata e Prishtinës pasi kishte dhënë 100,000 euro dorëzani. Gjykata e Apelit më 03.11.2023 e ka kthyer në paraburgim Ilir Abdullahun.
Dosja e Prokurorisë
Sipas dosjes së Prokurorisë, i akuzuari Ilir Abdullahu me tani të dënuarit, Arben Berishën e Fitim Avdiun, dhe me të pandehurit Enver Sekiraqën dhe Rrahim Abdullahun, si grup i organizuar nga i pandehuri Enver Sekiraqa, të shtyrë nga motivi i hakmarrjes së paskrupullt, e me dashje që ta privojnë nga jeta Triumf Rizën për shkak se i njëjti më 24.12.2005 në lokalin “Sëiss Casino”, në Prishtinë, e kishte rrahur Enver Sekiraqën, i cili kishte qenë i shtrirë në spital, se pas njoftimit të Triumfit me A.I. i njëjti nuk e ka lejuar që t’i japë reket – të holla si më parë.
Në aktakuzë thuhet se një kohë e kanë përcjellë me vetura lëvizjet e tanimë të ndjerit Triumf Riza dhe më 30.08.2007, derisa Arben Berisha, Enver Sekiraqa, Rrahim Abdullahu dhe Ilir Abdullahu kanë qenë në lokalin “Sekiraqa” në Prishtinë, tani i dënuari Fitim Avdiu, përmes telefonit të tij, i ka dërguar mesazh tani të akuzuarit Ilir Abdullahut me përmbajtjen “Parking te Grandi, kojshija e kish dramën”, duke aluduar në Rizën, i cili banesën e kishte përballë lokalit “Sekiraqa”, ndërsa në atë kohë ka qenë në hotelin “Grand Hotel”.
Sipas aktakuzës, pasi e kishte marrë njoftimin tani i dënuari Berisha dhe të pandehurit Ilir Abdullahu e Rrahim Abdullahu, me veturë kanë shkuar te lokali “Queen’s”, ku tani i dënuari Arben Berisha, i armatosur më parë me pistoletë, ka hyrë në një lokal, ndërsa i pandehuri Ilir dhe Rrahim Abdullahu kanë hyrë në një lokal tjetër, për të pritur Rizën, pasi ky i fundit pothuajse çdo ditë ishte mysafir i atij lokalit “AM PM”.
Tutje, sipas aktakuzës, i pandehuri Rrahim Abdullahu përmes telefonit të tij i ka dërguar mesazh tani të dënuarit Berisha derisa ka qenë duke qëndruar i ulur në tarracën e një lokali afër lokalit “AM PM”, me përmbajtjen “Rri qatu, hin mrena, se mir je, ma von të thirri”, pasi që Riza ishte parë te lokali “AM PM”.
Gjithnjë sipas aktakuzës, në momentin kur Riza ka dalë nga lokali dhe ka qenë afër automjetit të tij, tani i dënuari Arben Berisha me vrap ka shkuar drejt tij dhe në mënyrë dinake, kur Triumf Riza nuk kishte pritur kurrfarë sulmi, e me shpinë të kthyer nga ai, në distancë prej 5 metrash, me pistoletë ka shtënë 11 herë me tri rafalë të shkurtra, duke e goditur me 2 predha në shpinë, ku predhat, nga veprimi dinamik, kanë depërtuar nëpër aortë, zemër dhe mushkëri, nga të cilat lëndime ai ka vdekur, ndërsa me një predhë është goditur në kofshën e këmbës së djathtë.
Për këtë të akuzuarit Ilir Abdullahu dhe Rrahim Abdullahu në bashkëkryerje me të dënuarit Arben Berisha e Fitim Avdiu dhe Enver Sekiraqën akuzohen se kanë kryer veprën penale – vrasje e rëndë.