​Vodhën stoli ari dhe i shitën në argjendari, kapen tre persona në Fushë-Kosovë

Njësia e Hetimeve e Stacionit Policor në Fushë-Kosovë ka arrestuar tre persona të dyshuar për kryerjen e së paku tetë rasteve të veprës penale vjedhje e rëndë. Operacioni policor, i filluar më 18 nëntor, rezultoi me arrestimin e tre shtetasve A.B., F.H. dhe M.K., nën dyshimin se gjatë muajve tetor dhe nëntor 2026 kanë kryer…

Lajme

19/11/2026 15:26

Njësia e Hetimeve e Stacionit Policor në Fushë-Kosovë ka arrestuar tre persona të dyshuar për kryerjen e së paku tetë rasteve të veprës penale vjedhje e rëndë.

Operacioni policor, i filluar më 18 nëntor, rezultoi me arrestimin e tre shtetasve A.B., F.H. dhe M.K., nën dyshimin se gjatë muajve tetor dhe nëntor 2026 kanë kryer vjedhje të rënda në banesa në Fushë Kosovë.

Dëmi i përgjithshëm material tejkalon vlerën 60 mijë euro, duke përfshirë para të gatshme, stoli ari, sende me vlerë, si dhe armën zyrtare të një zyrtari policor.

Me urdhër të organeve të drejtësisë, policia ka kontrolluar katër lokacione, ku ka gjetur dhe sekuestruar stoli ari, para të gatshme, një pistoletë, një veturë e dyshuar për përdorim në vepra penale, dy telefona, një sasi e konsiderueshme e substancës së dyshuar si marihuanë etj.

Hetimet e mëtejme çuan policinë te një argjendari në lagjen “Dardania” në Prishtinë, ku dyshohet se janë shitur stolitë e vjedhura, me ç’rast pronari i saj është shoqëruar në stacion policor.

Gjithashtu, në qytetin e Prizrenit është lokalizuar dhe sekuestruar një sasi tjetër ari. Ndaj të dyshuarve janë iniciuar raste për vjedhje të rëndë, posedim të paautorizuar të armëve dhe posedim të paautorizuar të narkotikëve.

Pas intervistimit personat e arrestuar, me vendim të Prokurorit të Shtetit, janë dërguar ne mbajtje për 48 orë.