Vlerat tona të përbashkëta po sulmohen

Në takimin e sivjetmë të Forumit Ekonomik Botëror në Davos, liderët botërorë do të diskutojnë për sfidën e ruajtjes së një narrativi të përbashkët progresiv në një botë gjithnjë e më shumë të përçarë.

Lajme

24/01/2018 17:33

Si President i Kosovës, një shtet që feston dhjetëvjetorin e pavarësisë së vet këtë vit dhe i cili ende po zhvillohet ekonomikisht dhe politikisht, nuk mund të theksoj mjaftueshëm rëndësinë e gjetjes dhe ruajtjes së një qëllimi të përbashkët në nivel global.

Shtetet si shteti im kanë nevojë për mbështetje aktive të një komuniteti botëror të bashkuar, që është i interesuar të mbështesë zhvillimin e qëndrueshëm dhe të barabartë në gjithë botën.

Rivendosja e vlerave të përbashkëta të cilat kanë lindur nga rënia e komunizmit në vitet e 90-ta është me rëndësi të veçantë për mua dhe popullin tim. Vendi im është produkt i vlerave të tilla të përbashkëta humanitare. Pikërisht dy dekada më parë, kosovarët po përjetonin gjenocid dhe spastrim etnik në qendër të kontinentit evropian. Gjysma e popullsisë u dëbua nga Kosova, ndërsa imazhet e varreve masive po shqetësonin publikun botëror.

Unë isha udhëheqës politik i një force guerile, e cila po përpiqej t’i rezistonte fuqisë shkatërruese të një prej diktatorëve të fundit të kontinentit – Sllobodan Millosheviqit. Përpjekjet tona për të mbrojtur popullin tonë do të kishin marrë shumë më shumë kohë dhe jetë njerëzish po të mos kishte pasur një reagim global. Kujtimi i luftës së Kosovës mund të jetë zbehur për shumë prej jush, por në vitin 1998, të gjithë, prej laureatëve të Çmimit Nobel për Paqe e deri tek gjeneralë të NATO-s, nga gazetarët perëndimorë të përkushtuar në terren e deri tek punëtorët humanitarë në kampet e refugjatëve besonin se paqja ishte një qëllim për të cilin ia vlen për të luftuar.

Edhe atëherë kishte zëra nga ekstremet politike që ishin kundër intervenimit që shpëtoi popullin e Kosovës. E majta ekstremiste nuk ishte në gjendje të distancohej nga ndjenjat anti-NATO dhe e konsideronte ndërhyrjen e Kosovës një projekt imperialist. Ndërkaq e djathta ekstremiste i konsideronte kosovarët si një ‘kolonë të pestë’ të myslimanëve të rrezikshëm në Evropë dhe nuk ishte kundër politikës së Millosheviqit në Bosnjë dhe Kosovë. Në fund, megjithatë, ishin vlerat e përbashkëta njerëzore të shumicës dërrmuese në qendër të spektrit politik që e mundësuan çlirimin tonë. Forcat përçarëse të izolacionizmit, fragmentimit dhe nativizmit nuk ishin asgjë në krahasim me përpjekjet e përbashkëta të të gjitha shtresave politike dhe shoqërore për të mbrojtur vlerat themelore të njerëzimit.

Në vitin 2008, pas një procesi të negociatave të ndërmjetësuar nga negociatori i OKB-së, Marti Ahtisaari, në koordinim të plotë me demokracitë perëndimore, Kosova shpalli pavarësinë dhe tani njihet si një shtet sovran nga shumica e anëtarëve të OKB-së. Ne kemi shënuar rritjen më të lartë mesatare ekonomike për dekadën e fundit në Ballkanin Perëndimor dhe kemi shënuar përmirësim në mënyrë të vazhdueshme në të gjithë indikatorët kritikë të qeverisjes së mirë, të lirive ekonomike e politike dhe ndërtimin demokratik të kombit.

Tani, gati 20 vjet pas intervenimit të NATO-s në Kosovë, duhet të pranojmë se bota ka ndryshuar që nga ato kohëra të ndërhyrjeve ndërkulturore dhe ndërhyrjeve ndërkombëtare humanitare. Me të gjitha mundësitë që ofrohen nga interneti dhe mediat sociale, jam i trishtuar dhe madje i shqetësuar nga anët e tyre të dëmshme. Ekstremistët mund ta gjejnë njëri-tjetrin lehtë në mediat sociale, duke krijuar “eho-dhoma” të fuqishme që po përhapen në të gjithë rrjetin si materie e errët. Kur jemi te kjo temë, unë nuk pajtohem me pikëpamjen se Twitter-i apo Facebook-u janë burimi i këtij fragmentimi të narrativëve globalë.

Jo – duhet thënë qartë dhe guximshëm: tani ekzistojnë forca të fuqishme politike që po përpiqen qëllimisht dhe sistematikisht të anulojnë një shekull të tërë të progresit në botë – dhe në rastin e Kosovës, një dekadë lirie.

Këto forca e kanë origjinën në Rusi. Përpjekjet e koordinuara nga Moska – në mes të shtetit, kanaleve të propagandës, inteligjencës, hakerëve dhe aktorëve politikë – kanë një qëllim të qartë. Ata duan të shkatërrojnë lidhjet e shumta të besimit: ndërmjet qytetarëve dhe qeverive brenda shteteve perëndimore, ndërmjet shteteve që i përkasin NATO-s dhe BE-së, por edhe më gjerë.

Këto përpjekje nuk janë krijuar apo shkaktuar nga teknologjia. Këto janë forca që gjithmonë kanë qenë aty, në sfond, në ekstremet e diskutimit tonë publik, por të cilat tashmë janë forcuar nga politika të qëllimshme për të shkatërruar vlerat mbi të cilat mbështetet bota e lirë, duke përfshirë komunitetet siç janë BE-ja dhe NATO-ja.

Ne nuk mund të ndërtojmë narrativë të ri në një tablo të copëtuar, pa identifikuar qartazi se kush është aktualisht duke sulmuar rendin botëror. Dhe ne nuk mund të zhvillojmë mjete të rezistencës kundër lajmeve të rreme apo sulmeve kibernetike mbi sistemet demokratike pa pranuar se këto janë sulme të qëllimshme. Këta nuk janë ishuj virtual të përçarjes, por një arkipelag i ndërlidhur i platformave të ndërgjegjshme të sulmit mbi vlerat tona të përbashkëta.

Prandaj Davosi këtë vit do të jetë jashtëzakonisht i rëndësishëm pasi po përpiqet të analizojë ndarjet e reja gjeostrategjike, si dhe mënyrat për të rilidhur dhe rizbuluar historinë tonë të përbashkët të progresit njerëzor.

Botuar në: https://www.weforum.org/agenda/2018/01/our-shared-values-are-under-attack-they-are-also-our-best-defence