Vjosa Osmani në SHBA: Kosova, vendi më pro-evropian dhe më i sigurt në Evropë
Gjatë qëndrimit të saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ritheksuar përkushtimin e vendit për të ecur përpara në rrugën drejt integrimit evropian. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Osmani ndau detaje nga takimi i zhvilluar të mërkurën me Shefen e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja…

Lajme
Gjatë qëndrimit të saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ritheksuar përkushtimin e vendit për të ecur përpara në rrugën drejt integrimit evropian.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Osmani ndau detaje nga takimi i zhvilluar të mërkurën me Shefen e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, si dhe me përfaqësues të tjerë të vendeve të Ballkanit Perëndimor, transmeton lajmi.net.
“Dje, në takimin tradicional të organizuar nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Kaja Kallas, për përfaqësuesit e Ballkanit Perëndimor,” shkroi Osmani, duke shoqëruar postimin edhe me një fotografi nga ngjarja.
Ajo deklaroi se Kosova do të vazhdojë të punojë me përkushtim për të përmbushur objektivat e saj evropiane, duke qenë në përputhje të plotë me politikat e BE-së.
“Kosova, vendi më pro-evropian dhe më i sigurt në Evropë, do të vazhdojë rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE,” theksoi presidentja.
Gjatë takimit, Osmani i ka kërkuar Kaja Kallasit që Bashkimi Evropian të heqë masat e vendosura ndaj Kosovës, duke vënë theksin në nevojën për trajtim të barabartë dhe mbështetje të qartë për përpjekjet e Prishtinës drejt integrimit evropian./lajmi.net/