Vjosa Gradinaj Mexhuani rri në Organin Shqyrtues të Prokurimit, nuk bëhet notere anipse e kaloi testin
Javë më parë Ministria e Drejtësisë ka njoftuar në lidhje me listën e kandidatëve të cilët kanë kaluar testimet dhe janë bërë noterë. Në mesin e atyre për çudi ishte edhe Kryetarja e Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, apo siç njihet ndryshe Gjykatës së Tenderëve, Vjosa Gradinaj Mexhuani. Po ashtu ishte thënë se Gradinaj-Mexhuani…

Lajme
Javë më parë Ministria e Drejtësisë ka njoftuar në lidhje me listën e kandidatëve të cilët kanë kaluar testimet dhe janë bërë noterë.
Në mesin e atyre për çudi ishte edhe Kryetarja e Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, apo siç njihet ndryshe Gjykatës së Tenderëve, Vjosa Gradinaj Mexhuani.
Po ashtu ishte thënë se Gradinaj-Mexhuani emërohet në detyrën e noterit për territorin e Ferizajt. Madje vendimi mbante edhe vulën e ministres Albulena Haxhiu.
Mirëpo, në këtë vendim është treguar se ajo brenda 30 ditësh duhet të heq dorë nga puna që ka bërë deri më tani.
“Në pajtim me nenin 20 të Ligjit nr 06/l-100 për Noterinë, obligohet e emëruara që brenda periudhës prej 30 ditësh nga dita e hyrjes në fuqi të këtij vendimi, t’i ofrojë Ministrisë së Drejtësisë dëshminë përkatëse me të cilën vërteton dorëheqjen e saj nga funksioni aktual zyrtar”.
Por sot kur ministrja Haxhiu ka publikuar fotografitë nga betimi i noterëve të rinj, aty nuk është edhe e lartpërmendura.
Siç duket Vjosa Gradinaj-Mexhuani ka vendosur që të tërhiqet nga ky emërim e të qëndroj në krye të OSHP-së, raporton lajmi.net.
Haxhiu ka publikuar edhe fotografitë e noterëve të cilët janë betuar sot zyrtarisht për të qenë noterë të rinj të vendit.
Ndryshe Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik është një prej institucioneve më të rëndësishme në vend, në fushën e tenderëve si dhe të vlerësimit të dhënies së tyre nga kompanitë e pakënaqura të cilat bëjnë ankesë.
Dy vite më parë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e kishte emëruar kryetare të OSHP-së.
Kuvendi i Kosovës në qershor të vitit 2022 kishte zgjedhur Vjosa Gradinaj-Mexhuanin kryetare të Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik, apo njohur ndryshe si “Gjykata e Tenderëve”.
Në fjalën e tij, Kurti kishte thënë se Ligji për Prokurim Publik e ka obliguar Qeverinë që t’i bëjë propozimet për kandidatë për bordin e OSHP-së, teksa shtoi se për herë të parë komisioni ka pasur në përbërje njohës e ekspertë të jashtëm, specifikisht në fushën e prokurimit dhe financave.
Në një deklarim të fundit, Vjosa Gradinaj-Mexhuani si kryetare e Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OShP), pati thënë se ka shumë probleme në fushën e prokurimit publik, andaj për legjislacionin duhet të merren praktikat me të mira të vendeve të rajonit.
Kurse fjalë të mëdha për konkursin për noterë kishte pasur ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Ajo procesin e kishte vlerësuar si prej më profesionale ndonjëherë.
“100 noterë të rinj iu shtuan vendit tonë me ç’rast sot kam nënshkruar edhe vendimet për emërimin e tyre, ndërsa për shkak të mosplotësimit të kushteve emërimi i 6 kandidatëve të tjerë për noter është refuzuar. Vendimet do të publikohen të hënën në uebfaqen e Ministrisë së Drejtësisë. Për shkak të përvojave të hidhura në të kaluarën, ky proces i Provimit të Noterisë ka qenë ndër proceset më transparente e profesionale të organizuara ndonjëherë. Me përzgjedhjen e 100 noterëve të rinj kemi dëshmuar që edhe mund t’i përmbushim nevojat e qytetarëve por edhe meritokracinë. Falenderoj Komisionin për Provimin e Noterisë, Komisionin për përzgjedhjen e noterëve dhe stafin mbështetës të Ministrisë për punën dhe angazhimin e tyre profesional”, kishte shkruar ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu./Lajmi.net/