Vizita dy ditore e ministrit francez në Kosovë sjell marrëveshje për investime, drejtësi dhe gjuhën frënge – Ambasada e Francës jep detaje

Ambasada e Francës në Kosovë, ka dhënë detaje në lidhje me vizitën që ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Francës, Benjamin Haddad ka bërë në Kosovë. Ai ka ardhur në Kosovë dje, më 26 korrik dhe do të qëndroj për vizitë pune në Kosovë deri më 28 korrik, shkruan lajmi.net. “Kjo vizitë synon…

Lajme

27/07/2026 16:45

Ambasada e Francës në Kosovë, ka dhënë detaje në lidhje me vizitën që ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Francës, Benjamin Haddad ka bërë në Kosovë.

Ai ka ardhur në Kosovë dje, më 26 korrik dhe do të qëndroj për vizitë pune në Kosovë deri më 28 korrik, shkruan lajmi.net.

“Kjo vizitë synon t’i japë një shtysë të re marrëdhënieve dypalëshe, pas takimit të Kryeministrit Kurti me Presidentin Macron në mars të këtij viti. Ministri i deleguar u takua me Kryeministrin në detyrë, z. Albin Kurti, Zëvendëskryeministrin e parë dhe Ministrin në detyrë të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, z. Glauk Konjufca, si dhe me z. Jeton Zulfaj, kryenegociator me Bashkimin Evropian dhe koordinator kombëtar për reforma dhe rritje. Ai u takua gjithashtu me përfaqësuesit e partive kryesore të përfaqësuara në Kuvend”, ka njoftuar Ambasada.

Ata kanë thënë se sot janë nënshkruar pesë marrëveshje dhe konventa.

“Një hua investuese prej 60 milionë eurosh nga Agjencia Franceze për Zhvillim (AFD) për financimin e ndërtimit të infrastrukturës së qëndrueshme për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030 që do tê shfrytëzohet edhe pas tyre. Marrëveshja përfshin renovimin dhe zgjerimin e kampusit studentor të Universitetit të Prishtinës, si dhe modernizimin e infrastrukturës sportive në 13 institucione arsimore në Prishtinë. Projekti plotësohet me grante në vlerë totale prej 1.2 milionë eurosh për përgatitjen dhe mbështetjen e fazës së zbatimit. Një letër qëllimi për Lojërat Mesdhetare 2030, që parasheh krijimin e një Komiteti Francë–Kosovë për zhvillimin e sektorit ekonomik francez të sportit në Kosovë. Gjithashtu do të krijohet një grup pune për rininë dhe sportin. Dy konventa për ndihmë juridike reciproke dhe ekstradim, me qëllim forcimin e luftës kundër krimit të organizuar, pastrimit të parave dhe krimit kibernetik. Një marrëveshje administrative për forcimin afatgjatë të mësimit të gjuhës frënge në Kosovë dhe nxitjen e mobilitetit dhe shkëmbimeve arsimore”, thuhet në komunikatë.

Sot gjithashtu është organizuar një tryezë e rrumbullakët me Ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, Zëvendësministren e Sportit, Daulina Osmani, në praninë e Ministrit të deleguar, AFD-së dhe kompanive franceze, për të shqyrtuar perspektiva të reja bashkëpunimi.

“Ministri i deleguar u takua me pjesëtarët francezë që shërbejnë në KFOR. Ai vizitoi Graçanicën, ku u takua me kryetarin e komunës, z. Novak Živić, si dhe vizitoi Manastirin e Graçanicës. Ministri i deleguar do ta përmbyllë agjendën e tij me një vizitë në Institutin Francez të Kosovës, kushtuar bashkëpunimit franko-kosovar në fushën e kulturës, arsimit dhe universiteteve. Kjo vizitë është një rast për të ritheksuar përkushtimin e Francës për një Kosove të pavarur, sovrane dhe multietnike, si dhe lidhjet e miqësisë që bashkojnë dy vendet tona”, ka njoftuar ambasada e Francës. /Lajmi.net/