Konfirmohet se Vitia u intervistua nga Prokuroria Speciale për spitalin e Ferizajt, këshilltari i tij përmend koalicionin e dikurshëm PAN

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, është intervistuar sot nga Prokuroria Speciale lidhur me projektin e ndërtimit të Spitalit Regjional në Ferizaj, i cili, pavarësisht vendosjes së gurthemelit në vitin 2018, ka mbetur i papërfunduar. Durim Elshani, këshilltar i ministrit tregon se Ministria e Shëndetësisë kishte dorëzuar kallëzim penal për këtë projekt që në…

Lajme

30/01/2026 20:27

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, është intervistuar sot nga Prokuroria Speciale lidhur me projektin e ndërtimit të Spitalit Regjional në Ferizaj, i cili, pavarësisht vendosjes së gurthemelit në vitin 2018, ka mbetur i papërfunduar.

Durim Elshani, këshilltar i ministrit tregon se Ministria e Shëndetësisë kishte dorëzuar kallëzim penal për këtë projekt që në vitin 2021 dhe, më pas, edhe në vitin 2024 kishte bërë thirrje publike ndaj Prokurorisë për të trajtuar rastin, raporton lajmi.net

Projekti, i paraqitur nga Komuna e Ferizajt në vitin 2016, ishte pranuar për implementim pavarësisht se ishte i padetajuar dhe i ngjante më shumë një projekti ideor sesa një projekti zbatues.

Zbatimi i tij nisi në vitin 2018, gjatë qeverisjes së koalicionit PAN, pa u adresuar problemet serioze që kishte projekti.

Një tjetër problem lidhet me dështimin e operatorit ekonomik “Arbëria Com” për të përmbushur detyrimet kontraktuale. Ministria ndërpreu kontratën me këtë operator në vitin 2021 dhe dorëzoi kallëzim penal, por që nga ajo kohë nuk pati veprime nga organet e drejtësisë.

Lajmi.net gjatë ditës së sotme raportoi se Ministri Arben Vitia është intervistuar nga Prokuroria Speciale lidhur me këtë çështje. Kjo ka ndodhur pas padisë së ngritur nga i njëjti operator ekonomik në gusht të vitit 2025, e cila ka vënë organet e drejtësisë në lëvizje brenda gjashtë muajsh.

Spitali, i planifikuar të përfundonte brenda 600 ditësh dhe të shërbente mbi 300 mijë banorë, sot ka mbetur në gjysmë, duke lënë një projekt të papërfunduar dhe të ngrirë.

Ministria e Shëndetësisë ka theksuar se mbetet e hapur për bashkëpunim me organet e drejtësisë dhe do të ofrojë çdo informacion për zbardhjen e plotë të këtij rasti./Lajmi.net/