Vinicius: Ky klub këta futbollist kanë diçka të veçantë 

Vinicius Jr ka folur pas triumfit të Real Madridit në finale të Ligës së Kampionëve ndaj Liverpool.

Sport

29/05/2022 14:59

Vinicius Jr ishte heroi i Real Madridit, pasi shënoi golin e vetëm dhe të fitores në finalen e Ligës së Kampionëve ndaj Liverpool-it.

Pas triumfit në garë evropiane, braziliani tha se nuk mund të shpjegojë se si ndihet.

“Është vërtet e pashpjegueshme ajo që po përjetoj në këtë moment të mrekullueshëm. Sot munda të luaja finalen time të parë dhe shënova një gol, tani dua ta shijoj këtë moment pas një sezoni shumë të vështirë, por të shpërblyer me suksese të mëdha”, tha Vinicius Jr, përcjell lajmi.net.

Tutje, ai tha se ky klub dhe lojtarët e tij kanë diçka të veçantë dhe shpreson që tifozët e kanë shijuar këtë sezon.

“Ky klub, këta futbollist kanë diçka të veçantë. Nuk di çfarë të them vetëm dua ta shijoj këtë moment të veçantë. Ne kemi fituar shumë ndeshje me përmbysje, shumë ndeshje emocionuese dhe mendoj se njerëzit i shijuan këto ndeshje”, tha braziliani.

Krejt në fund, braziliani tha se këtë fitore ia dedikon të gjithë lojtarëve dhe familjes së tij.

“Kjo fitore shkon për të gjithë lojtarët, për familjen time dhe për klubin që bëri gjithçka për ne. Hala Real Madrid”, u shpreh Vinicius.

Që nga transferimi i Vinicius në vitin 2018 drejt ‘Santiago Bernabeu’, ky është trofeu i parë i Ligës së Kampionëve që ai fitoi./Lajmi.net/