Vinca: Vendimi i Nobel për Handke ishte skandaloz, për këtë Kadareja duhet të tërhiqet përfundimisht nga kandidatura

Studiuesi i Letërsisë dhe shkrimtari, Agim Vinca, ka thënë se nuk e konteston talentin e Peter Handke si shkrimtar, i cili dje fitoi Çmimin Nobel për Letërsi.

Lajme

11/10/2019 21:06

“Por ne e kontestojmë integritetin moral të këtij shkrimtari sepse arti, letërsia e ka mision humanizmin. Handke ka cenuar rëndë imazhin e shkrimtarit, të intelektualit, të krijuesit…”, ka thënë Vinca, njofton Klan Kosova.

“Hankde ka marrë pjesë në varrimin e Sllobodan Millosheviqit dhe ka mbajtur një fjalim. I ka bërë vizitë Millosheviqit në Hagë, madje edhe Karaxhiqit. Është pozicionuar gabimisht. Ai ka fyer rëndë viktimat e luftës në Kosovë – 12 mijë të vrarë, në Bosnjë edhe më shumë. Komiteti i Nobelit ka bërë një gafë të rëndë me të cilin e ka cenuar rëndë integritetin e çmimit Nobel”.

“Veprimet e Hankde janë skandaloze. Ai nuk është se ka bërë ndonjë artikull por si qytetar është vënë në anën e gabuar.  Zgjedhja e Akademisë suedeze këtë herë është skandaloze, e paprecedent. Përveç që është fyerje për të gjithë ne ky vendim provokon rëndë ndjenjat e popullit.

Vinca ka thënë në Info Magazine se pas vendimit skandaloz që Handke të shpallet fitues i Nobel, kandidati për këtë çmim, shkrimtari i madh nga Shqipëria, Ismail Kadare nuk duhet të kandidojë më.

“Nobel edhe më përpara ka pasë huqje. Nuk besoj se do të revokohet, por duhet të kërkojmë nga toka në qiell, që çmimi të revokohet bile mendoj se Ismail Kadare do të duhej të dilte me një deklaratë. Qe 30 vjet kur Shqipëria ka kaluar në pluralizëm kjo nuk po ndodh. Siç janë gjërat ai nuk ka gjasa që ta fitojë këtë çmim”.

“Kadareja ynë duhet të heqë dorë përfundimisht nga kandidatura a dhe se të thotë se nuk do që ta marrë këtë çmim, në bazë të vendimit për Handke dhe nëse nuk revokohet ky çmim”.